Rajs: Perëndimi do të presë disa javë para se të kërkojë sanksione ndaj Iranit

Sekretarja amerikane e Shtetit Kondoliza Rajs, tha se qeveritë perëndimore do të presin disa javë para se të kërkojnë nga Kombet e Bashkuara të marrin masa kundër Iranit për shkak të dyshimeve mbi programin e tij bërthamor.

Zonja Rajs i bëri komentet sot duke thënë se kjo periudhë qetësie do t’u jepte kohë evropianëve të hartonin një paketë nismash për të bindur Iranin t’i japë fund programit bërthamor.

Ndërkohë Presidenti Bush tha se letra që ka marrë nga Presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad, nuk i jep përgjigje shqetësimit kryesor se kur do t’i japë fund Irani programit bërthamor. Zyrtarët amerikanë e cilësuan letrën si një përpjekje të minutës së fundit të Teheranit për të përçarë Këshillin e Sigurimit.

Pesë vendet e përhershme të Këshillit të Sigurimit po shqyrtojnë mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj Teheranit për shkak të kundërshtimit të tij për t’i dhënë fund pasurimit të uraniumit.

Nga zhvillimet e tjera, Revista Time, ka botuar një letër tjetër, të një zyrtari të lartë iranian, i cili ofron ato që quhen, si baza e bisedimeve për zgjidhjen e mosmarrëveshjes bërthamore. //ad//