Gjeneral Agim Çeku ngarkohet me detyrën e krijimit të qeverisë së re të Kosovës

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu e ka propozuar gjeneral Agim Çekun për kryeministër të Kosovës.

Në njoftimin zyrtar thuhet se ky propozim është bërë në bazë të përgjegjësive kushtetuese dhe në bazë të marrëveshjes së koalicionit ndërmjet Lidhjes Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partnerëve të tjerë të koalicionit. Presidenti Sejidu ka kërkuar nga zoti Çeku që të formojë qeverinë në bazë të marrëveshjes së koalicionit, thuhet në njoftimin zyrtar.

Gjeneral Çeku, komandant i ish Ushtrisë Clirimtare të Kosovës dhe që nga përfundimi i luftës komandant i Trupave Mbrojtëse, tha më herët gjatë ditës se ka marrë përkrahjen e shefit të Misionit të Kombeve të Bashkuara Soren Jessen-Petersen për ushtrimin e postit të kryeministrit të Kosovës. Komente e tij pasuan takimin me shefin e UNMIK-ut, një ditë pas lëvizjeve të reja në skenën politike me dorëheqjen e kryeministrit Bajram Kosumi dhe vendimit të kryesisë së Lidhjes Demokratike për të shkarkuar Nexhat Dacin nga detyra e kryetarit të Parlamentit. Ky i fundit ende nuk e ka pranuar këtë vendim i cili është kundërshtuar nga këshilltarët e tij të cilët e kanë cilësuar vendimin e kryesisë së Lidhjes Demokratike, siç thuhet “një grusht-shtet të tipit stalinist”.

Ndonëse ende nuk është e qartë rruga që do të ndiqet për largimin e zotit Daci, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka propozuar general Agim Çekun kandidat për kryeministër dhe ai tashmë është ngarkuar me detyrën e krijimit të qeverisë nga presidenti I vendit. Gjeneral Çeku tha se ishte befasuar nga propozimi meqë siç u shpreh, nuk ka pasur asnjëherë ambicie politike. Por, ai tha se është i gatshëm që të marrë detyrën e re në shërbim të Kosovës. “Kur është publikuar lajmi se emri im është përmendur si kryeministër i ri, kam mbledhur strukturat drejtuese të Trupave Mbrojëtse tyë Kosovës, për të marrë edhe mendimin e tyre rreth kësaj çështje. E kemi analizuar në TMK dhe kam marrë mbështetjen e Shtabit të Përgjithshëm që në rast që kërkohet nga unë, dhe në qoftë se është për të mirën e Kosovës, atëherë jam i gatshëm që ta marr këtë detyrë”, tha gjenerali Çeku.

Ndryshimet e fundit përkuan me vizitën triditëshe në Prishtinë të të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës Marti Ahtisaari. Ky i fundit i cili po vazhdon takimet me institucionet dhe përfaqësuesit politike të komuniteve më të vogla, ka shfaqur shpresën se ndryshimet e fundit nuk do të pengojnë bisedimet e filluara muajin e kaluar që pritet të vazhdojnë gjatë këtij muaji.

Vazhdimi i tyre do të varet shumë edhe nga shpejtësia me të cilën do të ngritet kabineti I ri qeveritar. Autoritetet ndërkombëtarë I kanë cilaur ndryshimet si pjesë të zhvillimeve demokratike. Zyrtarë të Misionit të Shteteve të Bashkuara thanë se ndryshimet janë bërë në pajtim me standardet që dëshiron të arrijë Kosova dhe se ato ndryshime janë në pajtim me demokracinë që synohet të ndërtohet në Kosovë. //rd//