Karikaturat e Profetit Muhamed dhe liria e shprehjes

Dhuna që pasoi botimin e karikaturave të Profetit Muhamet ka sjellë në qendër të debatit çështjen e hapësirës që mund t’i lejohet fjalës së lirë në publik. Shumë myslimanë besojnë se Perëndimi ndjek dy standarte të ndryshme kur është fjala tek përkufizimi i fjalës së lirë.

Kundërshtimi i Kryeministrit danez Anders Rasmusen për të kritikuar gazetën që botoi fillimisht karikaturat nuk u prit mirë nga vendet myslimane, përfshirë edhe Mbretin Abdullah të Jordanisë: King Abdullah Liria e shprehjes meriton respekt të plotë, megjithatë, çdo gjë që poshtëron Profetin Muhamet ose prek ato ndjenja të shenjta për myslimanët, duhet të dënohet.

Dr. Parvez Ahmed, kryetar i Bordit të Këshillit mbi Marrëdhëniet Amerikano-Arabe thotë se myslimanët nuk e konsiderojnë këtë incident si shprehje e lirë e mendimit por si sulm ndaj besimit të tyre: "Myslimanët gjithmonë e kanë nxitur lirinë e fjalës, që në fillimet e shtetit islamik, që nga koha e Profetit Muhamet. Liria e fjalës gjithmonë mbështetej. Edhe në Kuran, Zoti i dha mundësi Djallit të shprehë pikëpamjet e tij. Pra ne e kuptojmë rëndësinë që çdo grup të shprehë mendimin e tij, por kjo e drejtë shoqërohet me përgjegjësi".

Zemërimi që pushtoi botën islamike mund të jetë edhe një përgjigje e qëndrimit që myslimanët mendojnë se Perëndimi mban ndaj tyre, thotë Shireen Hunter, profesore në qendrën për mirëkuptim të krishterë dhe islamik në Universitetin Georgetown: "Ndjenja se për të paktën 200 vjet bota myslimane ka qenë e kolonizuar ose e shtypur në forma të tjera është shumë e fortë dhe e dhimbshme. Kësaj i shtohet edhe çështje të tjera: lufta në Bosnje, konflikti në Çeçeni si dhe konflikte të tjera që i bëjnë myslimanët të mendojnë se shqetësimet e tyre nuk merren parasysh".

Disa myslimanë, të cilët jetojnë në vende perëndimore fyhen edhe nga disa masa që i konsiderojnë si pasqyrim i dy standarteve të ndryshme në qëndrimin kundër dhunës dhe urrejtjes në Evropë. Ata ngrenë pyetjen se përse është e ndaluar të vesh në pikëpyetje ekzistencën e krimeve të Holokaustit apo të përqafosh ideologjinë naziste, megjithatë lejohet të kritikosh fenë islame. Dr. Pervez Ahmed: "Shumë gjëra po thuhen sot për Islamin dhe myslimanët, jo vetëm në Evropë, por edhe në Amerikë, ku udhëheqës fetarë kanë bërë komente shumë negative për Profetin Muhamet, fenë islame dhe Allahun, në një mënyrë të tillë që, nëse do të bëhej për një besim tjetër apo një grup tjetër do të kishte shkaktuar një reagim shumë të fortë. Fatkeqësisht, këto figura të rëndësishme, qofshin fetare apo politike, i kanë bërë komente të tilla plot urrejtje ndaj fesë islame pothuajse pa pasoja negative për ta".

Në Shtetet e Bashkuara nuk ekziston një ligj federal kundër shprehjes së urrejtjes. Gjykatat kanë marrë vendime për të dënuar atë që e cilësojnë si shprehje e papranueshme, si për shembull të thërrasësh se ka rënë zjarri kur je në një kinema plot njerëz apo në një vend tjetër publik. Media mund të hidhet në gjyq nëse boton me vetëdije informacion jo të vërtetë.

Presidenti Bush u bëri thirrje qeverive të botës islame të vënë nën kontroll dhunën që pasoi karikaturat, por gjithashtu iu drejtua medias me thirrje për të treguar përgjegjshmëri: "Ne besojmë në lirnë e shtypit. E kemi gjithashtu të qartë se liria shoqërohet me përgjegjësi. Liria shoqërohet me përgjegjësinë për të treguar konsideratë për të tjerët", tha presidenti Bush.

Disa politikanë në Perëndim, përfshirë kryeministrin e Danimarkës, thonë se myslimanët e kanë të drejtën t’i shrytëzojnë institucionet perëndimore në avantazh të tyre. Për shembull, thonë ata, myslimanët kanë të drejtën t’i hedhin në gjyq gazetat që botuan karikaturat, nën akuzat për fyerjen e besimit të tyre fetar. Në Francë, një shoqatë myslimane deklaroi ditët e fundit se do ta bëjë një gjë të tillë. //rd//