Presidenti Bush tha se bashkëpunimi ndërkombëtar është jetik për të fituar luftën kundër terrorizmit. Në fjalimin e tij sot në Uashington, Presidenti dha hollësi rreth përpjekjeve ndërkombëtare që i prenë rrugën një komploti për të rrëmbyer një avion, i cili do të përdorej për të sulmuar Los Anxhelosin:
Ekzistencën e këtij komploti të parandaluar, Presidenti e bëri për herë të parë publik tetorin e kaluar. Këtë herë ai dha edhe hollësi, në përpjekje, siç shpjeguan zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë, për të vënë në dukje rolin që po luan bashkëpunimi ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit.
Presidenti tha se pa ndihmën e agjentëve të sigurimit nga vende të tjera, shumë amerikanë mund të kishin gjetur vdekjen në një mënyrë tragjike, të ngjashme me sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 ndaj Shteteve të Bashkuara:
"Tani e kemi të qartë se në tetor 2001, Khalid Sheik Mohamed, ideatori i sulmeve të 11 shtatorit 2001, kishte vënë në lëvizje një plan për rrëmbimin e një avioni, duke përdorur lëndë plasëse të futura në thembrat e këpucëve të terroristëve, për të thyer derën e kabinës së pilotit dhe për ta përplasur avionin në ndërtesën më të lartë në Bregun Perëndimor të Shteteve të Bashkuara."- tha Presidenti.
Objekt i sulmit ishte një grataçielë në Los Anxhelos. Në rastin e sulmeve të 11 shtatorit 2001, al Kaida kishte rekrutuar arabë për të kryer sulmet, ndërsa këtë herë ky rrjet kishte rekrutuar individë nga Azia Juglindore. Komploti u zbulua në fillim të vitit 2002, kur në një prej këtyre vendeve u arrestua një prej operativëve, identiteti i të cilit nuk është bërë i njohur.
"Informatat e mëpasshme si dhe operacionet e agjencive të zbulimit e bënë të qartë cili ishte objektivi i sulmit të planifikuar dhe si al Kaida kishte në plan ta realizonte sulmin. Këto të dhëna ndihmuan aleatët tanë të kapnin kreun e celulës si dhe operativë të tjerë, të cilët ishin rekrutuar për këtë komplot."- tha Presidenti.
Presidenti Bush tha se thuajse gjysma e vendeve të botës po bashkëpunojnë tani në luftën kundër terrorizmit, përfshirë edhe një numër vendesh që dikur nuk e kishin përfillur rrezikun terrorist. Ai vuri në dukje si ka ndryshuar qëndrimi i Pakistanit gjatë viteve të fundit:
"Mbi 4 vjet më parë, Pakistani ishte vetëm një ndër rreth 3 vende që e njihnin qeverinë talebane në Afganistan. Sot, forcat e Pakistanit po vënë jetën në rrezik në ndjekje të al-Kaidës. Presidenti theksoi se disa prej vendeve aleate në luftën kundër terrorizmit duhet të marrin hapa shtesë për të vënë në zbatim reforma demokratike."- tha Presidenti.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara e nxisin këtë hap dhe shtoi se udhëheqësit e këtyre vendeve e kuptojnë tani se terroristët përbëjnë kërcënim edhe për popujt e vendeve të tyre.
"Këto qeveri po marrin hapa të rëndësishëm për t’iu kundërpërgjigjur terrorizmit. Krahas këtyre përpjekjeve, ne do të vazhdojmë t’i nxisim, të ndjekin rrugën e reformave." - tha Presidenti.
Presidenti tha se armiku është dobësuar, megjithatë vazhdon të mbetet kërcënues. Ai tha se një mesazh i regjistruar kohët e fundit nga udhëheqësi i al Kaidës, Osama bin Laden, tregon se terroristët nuk kanë hequr dorë nga synimet për të sulmuar territorin amerikan.
Në fjalimin e tij, Presidenti u zotua përsëri se Shtetet e Bashkuara nuk do të tërhiqen dhe do të vazhdojnë bashkëpunimin me aleatët për t’i dhënë goditje dërrmuese rrjetit terrorist.//lk