Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, e ka dënuar ashpër heqjen dhe djegien e flamujve të tij që ai i ka propozuar si flamuj të Kosovës.
Gjatë ditës së sotme dhjetëra flamuj të cilët presidenti Rugova i ka quajtur flamuj të Dardanisë, janë djegur publikisht në Prishtinë dhe Ferizaj nga përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Luftës së ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Faik Fazliu, e quajti të padrejtë vendosjen e flamurit të Presidentit në rrugët e Prishtinës por edhe disa qyteteve të tjera.
“Ne si shoqata e kemi organizuar edhe heqjen e flamujve personal të vendosur më qëllim që të provokohet gjaku i derdhur dhe veteranët e ish UÇK-së. Ne e kemi organizuar heqjen e flamujve dje në mënyrë që të ndalim sot atë më të keqen, pra provokimin e qytetarëve tanë”, tha zoti Fazliu.
Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, në orët e mbrëmjes e cilësoi si shkelje të rëndë të rendit dhe e ligjit, djegien e flamujve, ndërsa propozimin e tij e cilësoi si të ligjshëm dhe publik. Në një komunikatë për opinion thuhet se, sipas procedurave demokratike, këto propozime do të paraqiten për miratim në Parlamentin e Kosovës.
Në kontekst të nismës publike të Presidentit Rugova, disa komuna të Kosovës kanë vendosur që për 28 Nëntorin e sivjetmë, krahas flamurit kombëtar shqiptar, të valojë edhe propozim-flamuri i Presidentit. Incidentin e heqjes dhe djegies së propozim-flamurit, Presidenti Rugova e konsideron incident të pahijshëm që njollosi ditën e madhe të 28 Nëntorit, thuhet në komunikatë.
Presidenti Rugova ka nënvizuar me këtë rast se siç thuhet, shteti i pavarur i Kosovës, që pritet të njihet së shpejti, do t’i ketë simbolet e veta autentike shtetërore. Njerëzit që bëjnë akte të tilla të pahijshme, si ky i sotmi, me vetëdije apo pa vetëdije, dalin kundër lirisë, pavarësisë dhe demokracisë së Kosovës, thuhet në komunikatën e presidentit Rugova. Ndërkaq zyra për informim e qeverisë së Kosovës thekson se reagimet emocionale nuk janë të nevojshme në këtë periudhë të rëndësishme nëpër të cilën po kalon Kosova. Sylë Ukshini shef i zyrës së kryeministrit për informim thekson se çështjet e tilla si ato të simboleve të Kosovës do të zgjidhen në kohë më të mira...
“Bashkë më bërjen e shtetit të Kosovës sigurisht se do të rregullohet edhe çështja e simboleve dhe secili institucion do të ketë simbolet dhe emblemat e veta. Pra përmes reagimeve emocionale, përmes rrugës nuk është zgjidhja më e mirë, zgjidhja do të gjendet në kuadër të institucioneve dhe Kosova ka nevojë që të bartë veprimet nga rruga në institucione", theksoi zoti Ukshini.
Mijëra vetë protestojnë në mbështetje të ish luftëtarëve të UÇK-së Shoqatat e dala nga lufta e ish UÇK-së më herët gjatë ditës organizuan një protestë në të cilën dhjetëra mijëra qytetarë kërkuan lirimin e ish Komandantit të ish Ushtrisë Çlirimtare Fatmir Limajt dhe dy bashkëluftëtarëve të tij Haradin Balaj e Isak Musliu, që po gjykohen në Hagë.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Krasniqi tha se ish luftëtarët, po trajtohen padrejtësisht nga ana e Gjykatës së Hagës.
“Protesta është vullnet i qytetarëve të Kosovës për të protestuar në këtë mënyrë kundër padrejtësisë që po bëhet në emër të drejtësisë”, tha zoti Krasniqi.
Fatmir Limaj dhe dy bashkëluftëtarët e tij akuzohen për krime lufte kundër civilëve shqiptarë dhe serbë gjatë luftës në Kosovë. Të tre ata janë akuzuar në mars të vitit 2003 për siç thuhet arrestimin e paligjshëm, torturimin dhe vrasjen e civileve ne një kamp burg në fshatin Llapushnik të Kosovën qendrore, akuza këto që janë mohuar në vazhdimësi nga të akuzuarit. Procesi gjyqësor kundër tyre ka filluar me 15 nëntor të vitit të kaluar, ndërsa shpallja e vendimit të Gjykatës pritet pasnesër, më 30 nëntor.