Një takim i planifikuar per nesër në Prishtinë i kryeministrave të Kosovës, Maqedonisë, Shqipërisë e Malit të Zi, është shtyrë për një kohë të pacaktuar.
Në një njoftim të qeverisë së Kosovës thuhet se takimi jozyrtar i cili ishte organizuar nga Kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, dhe i konfirmuar paraprakisht nga Kryeministrat e vendeve fqinje është shtyrë me kërkesë të Kryeministrit të Maqedonisë, Vllado Buçkovski.
Në njoftim thuhet se të katër kryeministrat mbeten të përkushtuar ndaj angazhimeve për thellimin e marrëdhënieve dhe zgjerimin e bashkëpunimit të vendeve të rajonit në funksion të krijimit të një imazhi të ri politik dhe hapjes së rrugës së integrimit euro atlantik.
Kryeministri shqiptar Sali Berisha citohet të ketë thënë se ishte programi shumë i ngjeshur i kryeministrit të malit të Zi Milo Gjukanoviç që ka bërë të shtyhet takimi, ndërsa ky i fundit sipas mediave ka thënë se është këshilluar nga diplomatë ndërkombëtarë që të mos shkojë tani për tani në Prishtinë.
Kryeministri i Maqedonisë, Vllado Buçkovski po sipas mediave është shprehur se kjo kërkesë ëshët bërë edhe nga kryeministri serb Vojisllav Koshtunica dhe diplomatë të huaj.
Zyrtarë të qeverisë së Kosovës kanë pohuar se qëllimi i këtij takimi që pritet të zhvillohet më vonë, i pari i këtij lloji i organizuar nga Prishtina zyrtare, është afrimi i fqinjëve dhe kapërcimi i problemeve të së kaluarës. Në këtë kuadër ata kanë shfaqur shpresën se nismave të tilla në të ardhmen do t'u bashkohet edhe Beogradi