Petersen: Më shumë presion mbi Beogradin për shqiptarët e zhdukur

  • Linda Karadaku-Ndou
    Prishtinë

Kryeadministratori ndërkombëtar i Kosovës Sorren Jessen Petersen u takua sot në Prishtinë me grupin punues të Kosovës për personat e zhdukur gjatë luftës. Këshilltari i kryeministrit Kosumi, Naser Rugova tha pas këtij takimi se ishin diskutuar të gjitha çështjet që shqetësojnë familjarët dhe shoqërinë e Kosovës në lidhje me këtë problem.

Zoti Rugova tha se kishte shprehur shqetësimin për zvarrisjen e disa proceseve dhe për atë që ai e quajti “mbajtje peng të eshtrave të shqiptarëve të gjetur në varrezat massive në Serbi”. Ai kërkoi që të bëhet më shumë presion mbi Beogradin për kthimin e eshtrave të shqiptarëve të gjetura në këto varreza, në mënyrë që ato të kthehen më shpejt në Kosovë. Zoti Rugova konfirmoi se grupi punues i Kosovës do të marrë pjesë në bisedimet e së enjtes në Beograd midis grupeve punuese të Prishtinës dhe Beogradit për këtë çështje, por përfaqësuesit e shoqatave të familjarëve të personave të zhdukur në Kosovë, nuk do të marrin pjesë.

Kryetari i Këshillit Bashkërendues të shoqatave të familjarëve të personave të zhdukur, Haki Kasumi, tha se i kishte propozuar zotit Petersen që të ndërrojë formën e dialogut dhe të shtohet presioni mbi Beogradin sepse Beogradi, siç theksoi ai, ka të dhëna për atë që ka ndodhur. Ky takim u bë dy ditë para takimit të tretë të rradhës midis grupeve punuese të Prishtinës dhe Beogradit për çështjen e personave të zhdukur në periudhwn janar 1998 dhe dhjetor 2000, që pritet të mbahet të enjten në Beograd. Takimet kryesohen nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.

Mandati i grupeve punuese është të shkëmbejnë dhe mbledhin informacione për fatin dhe vendndodhjen e personave të zhdukur dhe tua kalojnë ato familjeve që kanë të afërm të zhdukur. Sipas një liste të publikuar në qershor të këtij viti, 2.716 persona konsiderohen ende të zhdukur në Kosovë.

Në Kosovë, identifikimi i personave të zhdukur bëhet nga Zyra e UNMIK-ut për Persona të Zhdukur dhe Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur me seli në Sarajevw, që bën analizën e ADN-së. Varreza massive me trupa të shqiptarëve, të zhdukur gjatë luftës janë gjetur në varreza massive në Kosovë dhe në Serbi, siç janë ato në Batajnicë, në periferi të Beogradit. Trupat e shqiptarëve të gjetur në Batajnicë vazhdojnë të kthehen në Kosovë, por shoqatat e familjarëve të të zhdukurve kanë shprehur qartë pakënaqësinë e tyre lidhur me numrin e vogël të kufomave të indetifikuara që po kthehen nga Serbia. Pak ditë më parë, janë rivarrosur kufomat e 45 shqiptarëve të Kosovës të gjetura në varrezat massive në Serbi. Ata janë nga Gjakova, Peja dhe Vushtria.