Diplomatët e Bashkimit Evropian thanë se blloku arriti marrëveshje për të hapur bisedimet e anëtarësimit me Turqinë, i cili pritet të bëhet vendi i parë me shumicë myslimane në këtë organizatë.
Por zyrtarët turq thanë se ende po diskutojnë kornizën e bisedimeve dhe nuk janë në dijeni se kur Ministri i Jashtëm Abdullah Gul do të niset për në Luksemburg, ku po zhvillohet takimi i ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian.
Sot paradite, Ministrat e Jashtëm evropianë arritën një marrëveshje pasi Austria e tërhoqi kundërshtimin e saj për t’i ofruar Turqisë anëtarësim të plotë në bllok. Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan dhe Sekretarja amerikane e Shtetit Condoleezza Rice, diskutuan rreth kësaj çështje sot në një bisedë telefonike.
Sekretari i jashtëm britanik Jack Straw ka paralajmëruar se moslejimi i Turqisë në Bashkimin Evropian mund të dëmtojë marrëdhëniet midis vendeve islamike dhe atyre të krishtera.