Kosumi: “Procesi i përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës fillon pas një muaji”

Kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi tha se bisedimet për statusin e Kosovës mund të fillojnë pas një muaji dhe u shpreh i bindur se raporti i të dërguarit të Kombeve të Bashkuara Kai Eide për përmbushjen e standardeve në Kosovë do të jetë pozitiv, pavarësisht nga disa zhvillime negative ditëve të fundit. Ai i bëri këto komente pas kthimit në Prishtinë nga pushimet, të cilat i ndërpreu për shkak të vizitës së ambasadorit Kai Eide, që arriti të djelën në Kosovë për takime treditëshe më përfaqësuesit më të lartë politikë vendas e ndërkombëtarë para se të udhëtojë për në Beograd. Ai tha se në vizitën paraprake ishte inkurajuar me takimet në Prishtinë dhe Beograd, ndërkohë që pranoi se ekzistojnë tashmë disa projekte të raportit të tij për gjendjen në Kosovë i cili do të jetë edhe vendimtar për hapjen e bisedimeve për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

“Se kur e përfundojmë punën, nuk varet vetëm nga ne, por edhe nga bisedimet që kemi me politikanë e me të tjerë. Nëse ata duan të ndërmarrin hapa për të cilët ne mendojmë se do të ishin të dobishëm, kjo do të ndikojë në mënyrë pozitive në raport”, tha ambasadori Eide.

Kryeministri i Kosovës i cili filloi takimet me ambasadorin Eide qysh të djelën mbrëma, u shpreh i bindur se raporti i këtij të fundit do të ketë pasqyrime pozitive dhe se fillimi i procesit të zgjidhjes së statusit nuk është i largët. “Unë mendoj se shumë shpejt do të fillojnë hapat e parë të bisedave për statusin final të Kosovës. Ndoshta nuk mund të flitet as për një periudhë më shumë se njëmuajshe dhe sa përket palës kosovare ajo në parim është e përgatitur sepse është çështje për të cilën klasa politike është e përgatitur”.

Ai u shpreh i pakënaqur me rrjedhën e deritashme të punës në Forumin Politik të Kosovës - mekanizëm i themeluar nga shefi i UNMIK-ut për të krijuar konsensus politik ndërmjet pozitës dhe opozitës – dhe të përgatitjeve për bisedimet rreth statusit të Kosovës. Kryeministri Kosumi tha se është bërë punë e palodhur në këtë Forum për një kohë të gjatë. ”Unë do të përpiqem, ta përshpejtoj punën e qeverisë dhe të institucioneve të tjera, përfshirë edhe forumin, për të formuar grupet të punës dhe, në radhë të parë, për caktimin e përbashkët të grupeve të punës. Ky është çelësi që e hap pastaj procesin. Ajo që duhet të thuhet shumë hapur, është rikthimi tek ideja origjinale për Forumin. Ai është formuar që të harmonizojë qëndrimet për statusin përfundimtar të Kosovës dhe nuk është formuar për punë të tjera ekzekutive dhe organizative sepse punët e tjera janë të qeverisë”.

Emërimi i bashkërenduesit ishte një nga shkaqet që ka vonuar krijimin e grupeve të punës për shkak të mospajtimeve rreth mbajtësit të këtij posti. //az//