Ministrat e financave të grupit të tetë vendeve më të industrializuara të botës njoftuan arritjen e një marrëveshjeje historike për të eliminuar mëse 40 miliardë dollarë borxhe që kanë vendet më të varfra të botës.
Shefi britanik i Thesarit Gordon Brown e shpalli marrëveshjen sot, pas dy ditë bisedimesh në Londër, ku merrnin pjesë ministrat e shtatë vendeve më të industrializuara të botës dhe Rusisë. Ai tha se marrëveshja parashikon anulimin e menjëhershëm të borxhit për 18 vende, shumica në Afrikë dhe ndoshta për 20 vende të tjera më pas.
Në plan bëhet fjalë për borxhet ndaj agjencive të tilla si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Afrikane për Zhvillim dhe Banka Botërore.
Udhëheqësit e Britanisë, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara pritet ta japin miratimin përfundimtar në takimin e tyre në Skoci muajin e ardhshëm.