Administrata e presidentit Bush po ndërmerr një nismë të re diplomatike për Kosovën

Nënsekretari amerikan i Shtetit, Nicholas Burns, tha dje para komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet Ndërkombëtare se administrata e presidentit Bush po ndërmerr një nismë të re diplomatike për të zgjidhur statusin përfundimtar të Kosovës, që aktualisht administrohet nga Kombet e Bashkuara. Para këtij komisioni dëshmuan edhe përfaqësues të klerit katolik të Kosovës, të Lidhjes Civile Shqiptaro-Amerikane, si dhe përfaqësues të komunitet sërb.

Kosova ka qënë në gjendje pritjeje për gjashtë vjet ndërkohë që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian shqyrtojnë të ardhmen e Kosovës dhe 17 mijë e 500 ushtarë të NATO-s ruajnë atje paqen e brishtë nën mandatin e Kombeve të Bashkuara. Sipas Rezolutës 12-44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, statusi përfundimtar i Kosovës duhet të përcaktohet nëpërmjet një procesi negociatash. Nënsekeretari amerikan i Shtetit, Nicholas Burns tha se administrata e presidentit Bush e konsideron çështjen e përcaktimit të statusit të Kosovës me rëndësi jetike.

“Statuskuoja e statusit të papërcaktuar të Kosovës nuk është më e qendrueshme, e dëshirueshme apo e pranueshme. Kjo gjendje nuk plotëson dëshirat e asnjërës palë apo të popujve të atij rajoni, dhe le të hapur mundësinë për ripërsëritjen e dhunës etnike. Ne jemi të mendimit se po të mos diskutohet së shpejti statusi i Kosovës, kjo do të rrezikonte të gjitha arritjet në Ballkan gjatë dhjetë viteve të fundit”.

Sekretarja e Shtetit, Condoleezza Rice, i ka kërkuar zotit Burns të shkojë në rajon në fillim të muajit të ardhëshëm. Zoti Burns tha se Shtetet e Bashkuara e përkrahin procesin përmes së cilit, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, do të emërojë një diplomat norvegjez për të vlerësuar në se janë plotësuar kushtet në Kosovë për të filluar bisedimet për statusin, proces i cili do të drejtohet më pas nga zyrtarë të lartë amerikanë dhe evropianë.

Disa ligjvënës kanë kritikuar atë që e quajnë zvarritje të administratës Bush në çështjen e Kosovës dhe nuk e shohin të nevojshme këtë praktikë. Ja si u shpreh ligjvënësi republikan nga Kalifornia, Dona Rohrabacher:

“Çfarë ka këtu për të negociuar, çfarë ka këtu për të vendosur? Populli i Kosovës ka të drejtën të vendosur të ardhmen e vet nëpërmjet procesit të votimimit, ashtu si çdo popull tjetër në botë”.

Nënsekretari i Shtetit Nicholas Burns tha se është me rëndësi parësore që të mos përsëriten në asnjë fromë ngjarjet e viteve 90-të dhe në Kosovë të mbizotërojë harmonia ndëretnike.

“Shtetet e Bashkuara ndërhynë në Kosovë në mars të vitit 1999 për të mbrojtur popullsinë shqiptare nga spastrimi etnik i Millosheviçit dhe forcave të tij. Tani ne nuk duhet të lejojmë një situatë kur shumica të shkaktojë atë lloj dhune ndaj pakicave, sepse e vetmja rrugë për të ecur përpara është pajtimi dhe harmonia ndëretnike ndërmjet grupeve të popullsisë dhe ne jemi të vendosur për këtë”.

Zoti Burns tha se Serbia duhet të mbyllë kapitullin e errët të viteve 90-të, duke kapur dhe ekstraduar në Gjykatën e Hagës ish gjeneralin serb Ratko Mlladic, dhe shtoi se Washingtoni po e shton trysninë ndaj qeverisë së sërbëve të Bosnjës që të bëjë të njëjtën gjë me Radovan Karadzicin. Vuk Jeremic, këshilltar i presidentit të Serbisë për politikën e jashtme, tha se qeveria e tij e ka siguruar më tej Washingtonin për çështjen e zotit Mlladic.

“Është vetëm njëri prej 36 serbëve ndaj të cilëve janë ngritur akuza që akoma ndodhet i fshehur dhe qeveria ime po bën gjithçka mundet për ta arrestuar dhe ekstraduar atë në Hagë”.

Zoti Jeremic tha se pavarësia e Kosovës është një çështje tepër emocionale dhe e rrezikshme me pasoja regresivve.

Por ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor të Kosovës, Ardian Gjini dha këtë përgjigje të prerë.

“Ne po i afrohemi tani kohës kur është i nevojshëm përcaktimi i statusit të Kosovës. Për shumicën e popullsisë së Kosovës, statusi përfundimtar nënkupton pavarësinë. Kjo është arsyeja që ndonjë status tjetër rrezikon të mos jetë përfundimtar".

Seanca e djeshme në Kongresin Amerikan i paraprin diskutimit për Kosovën që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkura do të zhvillojë javën e ardhëshme.