Debat mbi trajtimin e dhunës ndaj gruas në Kosovë

  • Leonat Shehu

Përfaqësuese të organizatave për mbrojtjen e të drejtave të grave në Kosovë thanë të premten se dhuna ndaj gruas nuk është çështje personale që duhet fshehur mbrapa mureve të shtëpisë, por kërkon mobilizim dhe solidarizim për trajtimin e saj.

Këto komente u bënë gjatë një konference me temën “Barazia e brezave – Bashkim kundër dhunës me bazë gjinore”, e organizuar në kuadër të veprimtarive për Ditën Ndërkombëtare të Gruas që shënohet të shtunën.

Your browser doesn’t support HTML5

Debat mbi trajtimin e dhunës ndaj gruas në Kosovë

Me mesatarisht mbi dy mijë e 500 raste në vit, dhuna në familje mbetet ndër shqetësimet kryesore për gratë në Kosovë, pasuar nga sfida të tjera si pabarazia ekonomike apo shkalla e ultë e përfaqësimit në jetën publike.

Vlora Tuzi Nushi, shefe e zyrës së UN Women në Kosovë tha se mbrojtja e të mbijetuarave të dhunës kërkon veprim të përgjithshëm.

“Të mbijetuarat e dhunës është shumë me rëndësi që të mos i shohim si viktima por që janë të fuqizuara dhe duhet t’i ndihmojmë që ato të fuqizohen të jetojnë jetën në mënyrë normale”, tha ajo.

Paul O’Connor nga ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë tha se dhuna me bazë gjinore është e përhapur dhe universale dhe e rrënjosur në pabarazinë gjinore.

“Ajo kërcënon jetën dhe mirëqenien e grave dhe vajzave. Pengon ato të kenë mundësi themelore për lirinë dhe zhvillimin e tyre dhe dëmton demokracinë dhe paqen. Jam i sigurt që shumica prej jush janë të njohur me statistikat, por ia vlen të kujtojmë se sa të zymta janë ato. Një në tre gra globalisht do të përjetojnë dhunë fizike ose seksuale gjatë jetës së tyre”, tha ai.

Leonida Mulliqaj nga organizata joqeveritare ‘Qikat’ thotë se qytetarët në Kosovë nuk janë shumë të informuar për lloje të ndryshme të dhunës që ushtrohet mbi gratë.

“Zakonisht dhuna konsiderohet vetëm dhunë fizike. Do të thotë studime të ndryshme që janë bërë me anketa me gra, nëse i kanë pyetur për çështje të caktuara nuk e kanë ditur a i bie dhunë apo jo dhe po ashtu as kryesit e veprës nuk e kanë ditë që munden me u dënu për atë formë të dhunës sepse kanë konsideruar ta zëmë që bërtima ose dhuna psikologjike, është term i ri në Kosovë, pastaj dhuna ekonomike është tjetër. Ideja ka qenë që lufta të bëhet për të gjitha format e dhunës”, tha ajo.

Arrita Rezniqi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha se një nga mekanizmat që do të ndihmonte të mbijetuarat e dhunës është edhe Ndihma Juridike Falas, pasi sipas saj shumë qytetarë heqin dorë nga ndjekja penale për shkak të pamundësisë financiare për të sfiduar një problem të caktuar ligjor.

“Kur i ndajmë në aspektin gjinorë, trefishë janë më të prekura gratë se burrat në raport të numrit që raportohen në polici dhe në veçanti gratë në bazë të raporteve të mëhershme rreth 32 për qind e tyre janë të keqinformuara lidhur me përfaqësimin juridik që mund ta kenë në këtë situatë ndërsa 66 për qind e tyre nuk kanë pasur fare njohuri mbi mundësitë për të marrë ndihmë juridike falas”, tha ajo.

Sipas ministrisë së Drejtësisë, gjatë vitit 2024 janë raportuar afër 3 mijë raste të dhunës në familje në polici, prej të cilave afër 2 mijë e 400 raste përfshijnë gratë, ndërsa 603 raste burrat.

Organizatat për mbrojtjen e grave në Kosovë pritet që nesër të protestojnë në Prishtinë për siç thonë mbrojtjen e dinjitetit, sigurisë dhe mirëqenies së të gjitha grave dhe vajzave.