Kosovë, programet rehabilituese e riintegruese si formë e parandalimit të terrorizmit

  • Leonat Shehu

Një raport i Rrjeti Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese i publikuar të enjten nxjerr në pah se në Kosovë vetëm gjysma e të dënuarve për përfshirje në terrorizëm janë përfshirë edhe në programe të rehabilitimit dhe riintegrimit në shoqëri.

Sipas raportit, pjesëmarrja e ultë e të dënuarve në programe të tilla, mungesa e financimit të qëndrueshëm dhe mungesa e angazhimit të komunave në nivel lokal, vlerësohen ndër sfidat kryesore të Kosovës në parandalimin dhe luftimin e terrorizmit.

Your browser doesn’t support HTML5

Kosovë, programet rehabilituese e riintegruese si formë e parandalimit të terrorizmit

Kreshnik Gashi nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese tha të enjten se përfshirja e ultë në programe të rehabilimit është pasojë e mangësive në kuadrin ligjor të Kosovës, i cili aktualisht nuk e bën të deturueshëm ndjekjen e programeve të tilla.

“Baza jonë ligjore ka një problem i cili duhet të zgjidhet, të hapet diskutimi për format e dënimit të këtyre njerëzve. Elementi që raporti rekomandon është që ne të hyjmë në fazën që gjatë shqiptimit të dënimeve prej gjykatave të përkrahen njerëzit që të futen në programe. Momentalisht kodi jonë penal nuk lejon shqiptimin e programeve të detyrueshme të rehabilitimit dhe integrimit, pra gjykatësit e kanë të pamundur që në kuadër të dënimit kryesor të shqiptojnë edhe rrethana tjera që njerëzit do t’i shtynin të bëhen pjesë e programeve”, tha zoti Gashi.

Labinot Leposhtica, autor i raportit, tha se në mungesë të programeve të tilla, të dënuarit rrezikojnë të përsërisin veprën penale, ndonëse theksoi se deri tani një gjë e tillë ka ndodhur në vetëm dy raste.

“Trajtimi teologjik por edhe ai ideologjik gjatë qëndrimit të subjekteve në institucione korrektuese por edhe nën mbikËqyrjen e shërbimit sprovues gjatë periudhës së sprovës, nuk ka arritur t’i detyrojë këto subjekte të dëgjojnë ligjërata të imamëve apo edhe të religjioneve të tjera dhe kjo nënkupton që nga këndi teologjik apo ideologjik këta janë të paprekur. Këta kanë shkuar në vuajtje të dënimit, e kanë përfunduar edhe shërbimin e sprovës dhe janë kthyer në shoqëri me pikëpamjet e tyre të njëjta, në mos më radikale”, tha ai.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se ky boshllëk ligjor paraqet një sfidë edhe për kryesit e veprave të tjera penale, ndërsa u zotua për hapjen e diskutimit për ndryshimet e nevojshme ligjore që do të mundësonin programet e detyrueshme rehabilituese, krahas dënimit bazë.

“Shprehim zotimin tonë se do t’i adresojmë të gjitha ato që ndërlidhen me mandatin tonë duke shprehur edhe një herë gatishmërinë tonë për përkushtim maksimal në raport me përgjegjësitë që i kemi. Për ta përmbyllur ne mbesim të hapur që të vazhdojmë punën e përbashkët në mënyrë që në raportin e ardhshëm të mos i kemi problemet e njëjta”, tha zonja Haxhiu.

Lexoni edhe këtë Kosovë, raport mbi ndikimin e ekstremizmit

Që nga fillimi i konfliktit në Siri, rreth 400 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme. Mbi 70 veta kanë humbur jetën, ndërsa qindra janë kthyer nëpër vite prej andej, kryesisht të zhgënjyer me atë me të cilën janë përballur. Rehabilitimi dhe riintegrimi i tyre në shoqëri vlerësohet thelbësor nga ekspertët si formë e parandalimit të përsëritjes së veprimeve të tyre.

Një raport i organizatës ‘Sbunker’ në Prishtinë i publikuar në fillim të këtij viti thekson se ekstremizmi në Kosovë mbetet i kufizuar, por faktorët që mund të kontribuojnë në rritjen e tij janë të pranishëm dhe mjedisi është i favorshëm për përhapjen e ideologjive të skajshme.