Presidenti Joe Biden njoftoi Kongresin për qëllimin e tij për të hequr statusin e Kubës si vend që mbështet terrorizmin, njoftoi Shtëpia e Bardhë. Vendimi është pjesë e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Kisha Katolike për lirimin e të burgosurve politikë në Kubë. Zyrtarë të lartë të administratës amerikane, të cilët folën në kushte anonimiteti, thanë se "dhjetëra" të burgosur politikë dhe të tjerë që konsiderohen nga Shtetet e Bashkuara të ndaluar në mënyrë të padrejtë do të lirohen deri në mesditën e 20 janarit. Shtetet e Bashkuara do të lehtësojnë gjithashtu disa sanksione ekonomike ndaj Kubës, si dhe do të anulojnë një memorandum të vitit 2017 të lëshuar nga presidenti i atëhershëm Donald Trump që ashpërsonte qëndrimin e Shteteve të Bashkuara ndaj Kubës.
Disa orë pas njoftimit të Presidentit Biden, Presidenti i Kubës Miguel Diaz-Canel tha se qeveria e tij do të lirojë gradualisht 553 të burgosur pas bisedimeve me kishën katolike.
Më herët qeveria e tij shprehu mirënjohjen.
“Megjithë shtrirjen e tij të kufizuar, ky është një vendim në drejtimin e duhur dhe është në përputhje me kërkesën e qëndrueshme dhe të vendosur nga qeveria dhe populli i Kubës”, tha ministria e jashtme e vendit përmes një deklarate për shtypin.
Vendimi i Presidentit demokrat, mandati i të cilit përfundon javën e ardhshme ka të ngjarë të përmbyset që në fillim të javës së ardhshme pasi republikani Trump të marrë detyrën dhe Marco Rubio të marrë postin e Sekretarit të Shtetit.
Rubio, familja e të cilit u largua nga Kuba në vitet 1950 përpara revolucionit komunist që solli Fidel Castron në pushtet, ka qenë prej kohësh një mbështetës i sanksioneve ndaj vendit komunist.
Rubio do të paraqitet para Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë të mërkurën për seancën e konfirmimit të tij dhe pritet të flasë për ardhjen e familjes së tij nga Kuba në Amerikë.
Zoti Trump emëroi Mauricio Claver-Carone, një ish ndihmës të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë dhe mbështetës i fortë i sanksioneve kundër Kubës, në postin e të dërguarit të tij të posaçëm për Amerikën Latine.
Në ditët e fundit të administratës së parë të republikanit Trump, më 11 janar 2021, Shtëpia e Bardhë riktheu statusin e Kubësi si një vend mbështetës të terrorizmit, që ishte hequr në periudhën e afrimit midis Kubës dhe Shteteve të Bashkuara gjatë mandatit të dytë të Presidentit Barack Obama. Në vendimin e saj, administrata e kaluar e zotit Trump përmendi mbështetjen e Kubës për udhëheqësin e Venezuelës, Nicolas Maduro, refuzimin për të ekstraduar rebelët kolumbianë në Kolumbi, dhe strehimin e amerikanëve të kërkuar nga autoritetet në Shtetet e Bashkuara.
Grupet dhe aktivistët e të drejtave të njeriut, duke përfshirë Konferencën e Peshkopëve Katolikë të Shteteve të Bashkuara, i kanë bërë presion administratës së Presidentit Bidenit që të marrë këtë vendim për të lehtësuar vuajtjet e popullit kuban si pasojë e izolimit ekonomik të Kubës.
Kongresi dhe administrata e ardhshme e zotit Trump do të kenë mundësinë të rishikojnë dhe të ndryshojnë vendimet e zotit Biden, megjithëse zyrtarët e lartë të administratës amerikane thanë se administrata e Presidentit Biden kishte vendosur se nuk kishte "asnjë provë të besueshme" se Kuba aktualisht është e angazhuar në mbështetjen e terrorizmit ndërkombëtar.