Biden lëshon urdhër ekzekutiv për ndërtimin e qendrave të të dhënave për inteligjencën artificiale në prona federale

  • VOA

Presidenti Joe Biden lëshoi një urdhër ekzekutiv të martën për zhvillimin e qendrave të të dhënave të inteligjencës artificiale në gjashtë prona federale. Urdhri vë theksin tek furnizimi i tyre me energji të pastër dhe respektimi i standardeve të larta të punës.

Përmes një deklarate, Presidenti Biden tha se Shtetet e Bashkuara janë udhëheqësi botëror në fushën e inteligjencës artificiale, por kjo nuk mund të merret si e mirëqenë.

“Nuk do të lejojmë që Shtetet e Bashkuara të mbeten pas, kur flitet për një teknologji që do të përcaktojë të ardhmen, pa sakrifikuar standardet kritike mjedisore dhe përpjekjet e përbashkëta për të mbrojtur ujin dhe ajrin e pastër”, tha zoti Biden.

Lexoni edhe këtë SHBA kufizon eksportin e mikroprocesorëve në mbarë botën

Urdhri kërkon që Departamenti i Mbrojtjes dhe Departamenti i Energjisë të përcaktojnë tre vende të përshtatshme ku kompanitë private do të marrin tokën me qira, të paguajnë për ndërtimin dhe funksionimin e qendrave të të dhënave dhe të sigurojnë furnizimin me energji të pastër e të bollshme të tyre.

Kompanitë që do të marrin lejet gjithashtu do të duhet të blejnë “një sasi të përshtatshme” të gjysmëpërçuesve të prodhuar në Shtetet e Bashkuara për të ndihmuar në sigurimin e një “zinxhiri të fuqishëm furnizimi me gjysmëpërçues të prodhuar në vend”, tha Shtëpia e Bardhë.

Përveç përcaktimit të zonave, në bazë të urdhrit ekzekutiv, qeveria federale do të angazhohet gjithashtu të përshpejtojë procesin e marrjes së lejeve për ndërtimin e qendrave të të dhënave.

Gjatë një telefonate me gazetarët, zyrtarë të lartë të administratës theksuan nevojat e sigurisë kombëtare, që Shtetet e Bashkuara të kenë infrastrukturën e tyre të fuqishme të inteligjencës artificiale, si për të ndihmuar në mbrojtjen e saj për përdorim vetjak, por gjithashtu për të parandaluar vende kundërshtare si Kina, që t’i fitojnë këto aftësi.

“Nga pikëpamja e sigurisë kombëtare, është vërtet e rëndësishme gjetja e një mënyre për ndërtimin e qendrave të të dhënave dhe fuqizimin e infrastrukturës për të mbështetur operacionet e avancuara të inteligjencës artificiale në vend, për të siguruar vazhdimin e trajnimit të modeleve më të fuqishme të Inteligjencës Artificiale dhe ruajtjen e tyre në mënyrë të sigurt në Shtetet e Bashkuara”, tha një zyrtar.

Një zyrtar i lartë i administratës theksoi përparësitë që teknologjia e inteligjencës artificiale, të qëndrojë në Shtetet e Bashkuara për të shmangur përsëritjen e historisë kur teknologji të tjera u zhvendosën jashtë Amerikës, në vende me standarde më të ulta pune dhe ndikimit tek mjedisi.