Aleatët republikanë të Presidentit të zgjedhur Donald Trump në Dhomën e Përfaqësuesve po përpiqen të sigurojnë mbështetje për një projektligj mbi autorizimin e bisedimeve për blerjen e Groenlandës. Lajmi u publikua duke u mbështetur në një kopje të projektligjit që tanimë u është dërguar disa ligjvënësve.
Projektligji quhet “Ta Bëjmë Groenlandën të Madhërishme Sërish”, njoftuan zyrat e ligjvënësve republikanë Andy Ogles, i cili po udhëheq përpjekjet për projektligjin dhe Diana Harshbarger. Faqja e internetit e rrjetit Fox News njoftoi të hënën në mëngjes mbi një kopje të projektligjit që ka 10 përkrahës të tjerë.
Lexoni edhe këtë Planet e Presidentit të zgjedhur Trump për Groenlandën, Kanalin e Panamasë dhe Kanadanë
Pse është e rëndësishme
Presidenti i zgjedhur Trump thotë se dëshiron ta bëjë Groenlandën pjesë të Shteteve të Bashkuara dhe nuk përjashton përdorimin e fuqisë ushtarake ose ekonomike për të bindur Danimarkën që ta dorëzojë atë. Republikanët fituan një shumicë të ngushtë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat në zgjedhjet e 5 nëntorit.
Lexoni edhe këtë Danezët reagojnë ndaj komenteve të Presidentit të zgjedhur Trump për Groenlanden
Pikat kyçe
Projektligji, nëse miratohet, do të lejojë presidentin të fillojë negociatat me Danimarkën më 20 janar, kur zoti Trump merr detyrën.
“Kongresi autorizon Presidentin, duke filluar nga ora 12:01 më 20 janar, për të kërkuar fillimin e negociatave me Mbretërinë e Danimarkës për të siguruar blerjen e Groenlandës nga Shtetet e Bashkuara”, thuhet në këtë projektligj.
“Jo më vonë se 5 ditë pas arritjes së një marrëveshjeje me Mbretërinë e Danimarkës në lidhje me blerjen e Groenlandës nga Shtetet e Bashkuara, Presidenti do t'u dërgojë komisioneve përkatëse të Kongresit marrëveshjen, duke përfshirë të gjitha materialet dhe anekset përkatëse”, shton ai.
Konteksti
Danimarka ka kontrollin e Groenlandës prej disa shekujsh, fillimisht si koloni dhe aktualisht si territor gjysmë sovran. Ishulli i nënshtrohet kushtetutës daneze, që do të thotë se çdo ndryshim në statusin e tij ligjor do të kërkonte një ndryshim kushtetues.
Kryeministri i Groenlandës Mute Egede, i cili ka rritur përpjekjet për pavarësi, ka thënë vazhdimisht se ishulli nuk është në shitje dhe se i takon popullit të tij të vendosë për të ardhmen e tij.