SHBA, historia e përpjekjeve për tkurrjen e qeverisë 

  • Dora Mekouar

Presidenti i zgjedhur Donald Trump synon të ulë shpenzimet qeveritare kur të marrë detyrën më 20 janar. Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë do të udhëheqë përpjekjet në këtë drejtim. Objektivi i këtij komisioni këshillimor nuk është një koncept i ri. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Dora Mekouar, udhëheqësit amerikanë janë përpjekur ta mbajnë të kufizuar rolin e qeverisë pothuajse që nga themelimi i vendit.

Your browser doesn’t support HTML5

SHBA, historia e përpjekjeve për tkurrjen e qeverisë

Miliarderi Elon Musk synon shkurtimin e 2 trilionë dollarëve në shpenzime federale. Ai do të jetë një nga drejtuesit e Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë, një organizëm i propozuar nga Donald Trump. Nuk është hera e parë që një administratë amerikane premton të shkurtojë shpenzimet e qeverisë.

“Presidentët kanë folur, në një mënyrë apo në një tjetër, për kufizimin e rolit të qeverisë që nga themelimi i republikës”, thotë Prof. Justin Vaughn i Universitetit ‘Coastal Carolina’.

Kjo filloi me presidentin e tretë të Amerikës, Thomas Jefferson, në fillim të viteve 1800. Ai eliminoi disa vende pune në ushtri dhe qeveri, duke ulur përkohësisht kostot.

Në vitet 1930, Franklin Delano Roosevelt zgjeroi fuqinë federale të punës për të përballuar Depresionin e Madh. Marrëveshja e Re e Roosevelt-it punësoi miliona njerëz, duke ofruar lehtësim për të varfërit dhe duke stimuluar ekonominë. Vendet e punës u eliminuan kur kriza mbaroi.

Në vitet 1980, Ronald Reagan formoi Komisionin Grace, duke i kërkuar grupit prej rreth 150 udhëheqësish biznesi të gjenin mënyra për të rritur efikasitetin.

"Presidenti Reagan i kërkoi Komisionit Grace që të gjejë mënyra që qeveria funksiononte më shumë si biznes", thotë Tom Schatz, President i Organizatës ‘Qytetarët kundër Shpërdorimeve Qeveritare’.

Por në faqen e internetit të Bibliotekës Presidenciale ‘Ronald Reagan’ thuhet se "Shumica e rekomandimeve, veçanërisht ato që kërkojnë legjislacion nga Kongresi, nuk u zbatuan kurrë".

Megjithatë, disa historianë thonë se Presidenti Reagan ia doli të bindte publikun në favor të një roli më të vogël të qeverisë federale në zgjidhjen e problemeve publike.

“Ishte një ndryshim thelbësor nga shekulli i mëparshëm, kur ishte zgjeruar roli i qeverisë në shoqëri”, thotë Prof. Vaughn.

Në vitet 1990, Bill Clinton punoi për të shkurtuar rreth 300,000 vende pune federale, kryesisht përmes nxjerrjes në pension dhe kontraktimit të shërbimeve.

"Sigurisht një nga administratat më të rëndësishme për sa i përket reduktimit të rolit të qeverisë në epokën moderne", thotë Prof. Vaughn.

Gjatë mandatit të tij të parë, Donald Trump urdhëroi një ngrirje federale të punësimeve dhe shkurtime të tjera. Tani ai dëshiron që Departamenti i i Efikasitetit të Qeverisë ta përfundojë punën. Disa kanë dyshime se një qasje biznesi është rruga e duhur për funksionimin e qeverisë.

"Qeveria ka përgjegjësi për njerëzit dhe synimi nuk është nxjerrja e fitimeve, është të ofrosh shërbime dhe të mbrosh vendin. Në sektorin privat ka shumë mashtrime dhe shpërdorime, kështu që nuk jam aq i sigurt se biznesmenët janë domosdoshmërisht njerëzit më të përshtatshëm për të zbuluar mashtrime dhe shpërdorime", thotë historiani James Grossman.

Presidenti i zgjedhur Trump dhe miliarderi Musk kanë një mjet në dispozicion që nuk ekzistonte më parë.

“Mund të ketë një reagim më të shpejtë dhe më të gjerë për shkak të mediave sociale. Falë tyre, anëtarët e Kongresit kanë prirjen të përgjigjen më shumë sesa ndaj letrave që merrnin në të kaluarën”, thotë zoti Schatz.

Në shumë raste, shkurtimet nuk mund të hyjnë në fuqi pa miratimin e Kongresit.