Zëvendës Sekretari amerikan i Shtetit për Menaxhimin dhe Burimet, Richard R. Verma tha të shtunën se sanksionet ndaj industrisë së naftës nuk janë drejtuar ndaj Serbisë por kundër Rusisë.
Your browser doesn’t support HTML5
Ai i bëri këto komente gjatë vizitës në Beograd një ditë pasi Shtetet e Bashkuara përfshinë Industrinë Naftës së Serbisë në paketën e sanksioneve ndaj prodhuesve kryesorë rusë të naftës, Gazprom Neft dhe Surgutneftegas.
“Ato janë të drejtuar kundër Rusisë, jo Serbisë. NIS (Industria e Naftës e Serbisë) është një nga dy mijë kompanitë e mbuluara nga sanksionet që synojnë heqjen e pronësisë ruse”, tha ai duke nënvizuar se nuk do të ketë pasoja për Serbinë nëse hiqet pronësia ruse.
“Është e qartë se Rusia nuk po investon në të ardhmen e Serbisë, sepse fitimet që ajo realizon nga Industria e Naftës e Serbisë nuk investohen në Serbi. Largimi i kapitalit rus, do të kontribuojë për paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon”, tha zoti Verma, sipas një përkthimi të zyrës së Presidentit serb Aleksandar Vuçiç.
Industria e Naftës e Serbisë (NIS), mbi 56 për qind të aksioneve të së cilës u takojnë kompanive ruse Gazprom Neft dhe Gazprom, është furnizuesja e vetme e Serbisë me gaz dhe pronarja e të dy tubacioneve që transportojnë gaz nga Rusia për në Serbi.
Lexoni edhe këtë SHBA sanksionon industrinë serbe të naftës për shkak të pronësisë ruseSanksioneve, të cilat Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, i kishte paralajmëruar që më 13 dhjetor të vitit që lamë pas u është bashkuara edhe Britania e Madhe.
Presidenti serb tha se deklarimet që Serbia nuk ishte objektivi i sanksioneve, nuk është farë ngushëllimi.
“Rreth 30 vende, sipas llogaritjeve fillestare, janë prekur në mënyra të ndryshme nga këto sanksione ose subjekte nga ato vende. Por, kudo ka të bëjë me pasuritë, kapitalin dhe interesat ruse”, tha ai.
Presidenti serb tha se ka shumë paqartësi lidhur me sanksionet.
"Së pari duhet të kalojmë të paktën shtatë deri në 10 ditë të tjera duke biseduar me amerikanët, për të parë saktësisht se çfarë përmban e gjithë paketa e sanksioneve, në mënyrë që të mund t'u drejtohemi rusëve dhe më pas të flasim me ta për atë që duhet të bëjmë”, tha zoti Vuçiç.
Presidenti serb tha të premten se Shtetet e Bashkuara kërkojnë “tërheqjen e plotë të kapitalit dhe interesave ruse” nga Industria serbe e Naftës, transformimi i pronësisë duhet të përfundojë brenda 45 ditësh dhe duhet të miratohet nga Shtetet e Bashkuara.
Vuciç: Azerbajxhani e ka pezulluar furnizimin e Serbisë me gaz
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, tha të shtunën se furnizimi i Serbisë me Gaz nga Azerbajxhani është pezulluar dhe është e paqartë se kur do të rifillojë.
“Kam marrë informacion nga vëllezërit dhe miqtë tanë nga Azerbajxhani se për shkak të problemeve që ata kanë, nga sot nuk mund të llogarisim në 1.7 milionë metra kub gaz që vinte çdo ditë”, tha Presidenti Vuçiç, duke theksuar se “kjo do të thotë se që nga sot do të fillojmë të shpenzojmë rezervat e gazit”.
Ai shfaqi shpresën se për një ose dy muaj të rifillojë furnizimi me gaz nga Azerbajxhani.
Në vitin 2023, Serbia, e cila shpenzon më shumë se 3 miliardë metra kub gaz në vit, nënshkroi një marrëveshje me Azerbajxhanin për të blerë 400 milionë metra kub gaz natyror, nga viti 2024.
Pjesën tjetër të gazit Serbia e siguron nga Rusia.
Autoritetet në Azerbajxhan nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese të agjencisë së lajmeve Reuters për të komentuar në lidhje me eksportet e gazit në Serbi.
Serbia e cila zyrtarisht kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ruan marrëdhënie të ngushta me Moskën dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se me zëvendës Sekretarin Verma biseduan edhe për vendosjen e një dialogu strategjik që sipas tij do t'i çojë marrëdhëniet në mes dy vendeve në një nivel më të lartë.
“Dialogu strategjik nuk është diçka që do të zgjidhë problemet, veçanërisht rreth Kosovës, por hap mundësi dhe sfida të rëndësishme, të mëdha për qeveritë e ardhshme në Serbi dhe administratat në Shtetet e Bashkuara. Ne jemi një vend i vogël për ta, por besoj se fakti që ata kanë treguar interes për një dialog strategjik me Serbinë për herë të parë, tregon se marrëdhëniet tona kanë ndryshuar për mirë”, tha presidenti serb.
“Dialogu strategjik na siguron një format të strukturuar në mënyrë që qeveritë tona të mund të përqendrohen në tema thelbësore të bashkëpunimit si në fushat e mbrojtjes, energjisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Ky dialog dëshmon për rëndësinë që ne i kushtojmë marrëdhënieve me Serbinë, të cilat bazohen në respektin e ndërsjellë dhe përkushtimin për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë”, tha zëvendës sekretari Verma.
Lexoni edhe këtë Osmani: Kosova dhe Shtetet e Bashkuara do të përmbyllin së shpejti dialogun strategjikZyrtari amerikan shkoi në Serbi pas vizitës që zhvilloi në Kosovë, pas së cilës autoritetet në Prishtinë thanë se pritet që së shpejti të përmbyllet dialogu strategjik mes dy vendeve që sipas tyre do të përfshijë fusha të rëndësishme në interes të qytetarëve të Kosovës.