Rasti i Nju Jorkut, Presidenti i zgjedhur Donald Trump nuk do të vuajë dënim

US President-elect Donald Trump appears remotely for a sentencing hearing in front of Judge Juan Merchan in the criminal case in which he was convicted on charges involving hush money, at NY Criminal Court in in New York, Jan. 10, 2025.

Gjykatësi i Nju Jorkut Juan Merchant vendosi që Presidenti i zgjedhur Donald Trump, të mos vuajë masë dënimi për çështjen e Nju Jorkut. Kjo do të thotë që ai është i dënuar zyrtarisht dhe kjo është pjesë e historisë së tij penale, por se nuk do të marrë dënim me burg, ose pasoja të tjera ndëshkuese. Zoti Trump dhe avokati i tij morën pjesë në seancën e dënimit përmes një videolidhjeje. Donald Trump do të betohet më 20 janar si i vetmi President i Shteteve të Bashkuara me dënim penal për krime.

Your browser doesn’t support HTML5

Rasti i Nju Jorkut, Presidenti i zgjedhur Donald Trump nuk do të vuajë dënim

Gjykatësi Juan M. Merchan mund ta kishte dënuar 78-vjeçarin republikan deri me katër vjet burg. Në vend të kësaj, ai zgjodhi një dënim që anashkaloi çështje të mprehta kushtetuese duke i dhënë fund rastit, por me vendimin e tij Donald Trumpi do të bëhet personi i parë i dënuar për një krim që do të marrë presidencën.

Gjykatësi Merchan tha se, si kur përballet me çdo të pandehur tjetër, ai duhet të marrë parasysh çdo faktor përpara se të shpallë një dënim, por mbrojtja ligjore që zoti Trump do të ketë si president "është një faktor mbi të gjithë të tjerët".

"Pavarësisht mbrojtjeve të jashtëzakonshme ligjore që ai gëzon, një kompetencë që ato nuk ofrojnë është fshirja e vendimit të një jurie", tha gjykatësi Merchan.

Zoti Trump, duke iu drejtuar shkurt gjykatës ndërsa u shfaq me një videolidhje nga shtëpia e tij në Florida, tha se gjykimi dhe dënimi i tij penal ka qenë "një përvojë shumë e tmerrshme" dhe këmbënguli se ai nuk kishte bërë asnjë krim.

Ish-presidenti republikan, duke u shfaqur në një video 10 ditë përpara se të inaugurohej, sërish e kritikoi këtë çështje ligjore, e vetmja nga katër paditë e tij penale që ka shkuar në gjyq dhe ndoshta e vetmja që do të përfundohet.

“Ka qenë një gjueti shtrigash politike. Është bërë për të dëmtuar reputacionin tim në mënyrë që unë të humbas zgjedhjet, dhe padyshim, kjo nuk funksionoi”, tha zoti Trump.

Zoti Trump e quajti rastin "një përdorim të qeverisë si armë politike" dhe "një turp për Nju Jorkun".

Prokurorët thanë të premten se ata mbështesin një vendim pa vuajtje dënimi, por ata kundërshtuan sulmet e zotit Trump ndaj sistemit ligjor gjatë dhe pas çështjes.

“Presidenti i dikurshëm dhe i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara është angazhuar në një fushatë të koordinuar për të minuar legjitimitetin e sistemit të drejtësisë”, tha prokurori Joshua Steinglass.

Në vend që të tregojë keqardhje, zoti Trump ka "shprehur përçmim" për vendimin e jurisë dhe sistemin e drejtësisë penale, tha prokurori Steinglass, dhe thirrjet e tij për hakmarrje ndaj atyre që janë përfshirë në këtë rast, duke përfshirë thirrjen për shkarkimin e gjyqtarit, "kanë shkaktuar dëme afatgjata në perceptimin publik të sistemit të drejtësisë penale dhe ka vënë në rrezik zyrtarët e gjykatës.”

Duke folur nga shtëpia e tij në Florida, ish-presidenti ishte ulur në krah të avokatit të tij Todd Blanche, të cilin ai e ka caktuar për të shërbyer si zyrtari i dytë më i lartë i Departamentit të Drejtësisë në administratën e tij të ardhshme.

"Ligjërisht, ky rast nuk duhej të ishte ngritur", tha avokati Blanche, duke përsëritur qëllimin e zotit Trump për të apeluar vendimin. Kjo teknikisht nuk mund të ndodhë derisa ai të dënohet.

Trump mund të votojë pas dënimit, por nuk mund të zotërojë një armë dhe do të duhet të dorëzojë një mostër të ADN-së

Presidenti i zgjedhur Donald Trump nuk do të shkojë në burg, nuk të paguajë një gjobë apo të kryejë shërbime në të mirë të komunitetit si rezultat i dënimit të tij në Nju Jork lidhur me akuzat për falsifikim të të dhënave të biznesit. Por nëse dënimi për falsifikimin e të dhënave të biznesit nuk rrëzohet një ditë, zoti Trump do të ketë një dosje kriminale, që do të ndikonte në disa nga të drejtat e tij.

Zoti Trump është i regjistruar për të votuar në Florida dhe ai do të jetë në gjendje të votojë atje. Florida i ndalon njerëzit që vuajnë dënime për krime të votojnë, por rikthen të drejtën e tyre për të votuar pasi ata të kenë përfunduar dënimin.

Sipas ligjit federal, njerëzit e dënuar për krime nuk lejohen të mbajnë armë zjarri.

Sipas ligjit, çdo person i dënuar për një krim në Nju Jork duhet të dorëzojë një mostër të ADN-së për ta përfshirë në listën e të dhënave të shtetit për krimet. Mostrat mblidhen pas dënimit, zakonisht kur një i pandehur paraqitet për të vuajtur dënimin me burg ose për masën e paraqitjes së detyrueshme. Mostrat mund të merren edhe nga një zyrtar gjykate ose policie.

Trump e quan dënimin një "shfaqje të neveritshme" në Truth Social

"Ngjarja e sotme ishte një shfaqje e neveritshme dhe tani që ka mbaruar, ne do të apelojmë këtë mashtrim, i cili nuk ka asnjë meritë, dhe do të rivendosim besimin e amerikanëve në sistemin tonë dikur të madh të drejtësisë", shkroi ai në një postim të gjatë në platformën e tij Truth Sociale, pas vendimit të gjykatësit në Nju Jork.

Presidenti i zgjedhur Donald Trump shfrytëzoi të gjitha mundësitë ligjore për apelim dhe madje kërkoi nga Gjykata e Lartë që të bllokonte dhënien e dënimit lidhur me një nga gjyqet e tij të profilit më të lartë. Por të enjten vonë, Gjykata e Lartë hodhi poshtë kërkesën e tij për shtyrjen e dënimit.

Zoti Trump u shpall fajtor nga një juri më 30 maj të vitit 2024 për 34 akuza penale në lidhje me falsifikimin e të dhënave të biznesit, me qëllim fshehjen e një pagese prej 130 mijë dollarësh për të fituar heshtjen e një aktoreje të filmave pornografikë, pak përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.

"Ky ishte një turp", tha zoti Trump pas përfundimit të këtij gjyqi.

Analistët politikë si Shannon Bow O'Brien nga Universiteti i Teksasit thonë se kjo çështje ishte personale për zotin Trump.

“Atij nuk i pëlqen të pranojë fajin, dobësitë apo mangësitë”, thotë ajo.

Gjykatësi i Nju Jorkut, Juan Merchan, i cili kryesoi gjyqin, ka refuzuar kërkesat për shtyrjen e dënimit, por gjithashtu ka thënë më parë se nuk do ta dënonte me burg ish-presidentin.

“Mendoj se synimi i vëtetë është që të përçohet mesazhi se askush nuk është mbi ligjin dhe që procesi të çohet deri në fund”, thotë eksperti Gary Rose nga Universiteti Sacred Heart.

Një gjykatëse e emëruar nga zoti Trump këtë javë bllokoi përkohësisht kërkesat e Departamentit të Drejtësisë për publikimin e raporteve përfundimtare të dy hetimeve nga Prokurori i Posaçëm Jack Smith. Të dyja çështjet kanë të bëjnë me mbajtjen e dokumenteve sekrete dhe ndërhyrjen në zgjedhje që kulmoi me sulmin e 6 janarit në Kapitol.

Këtë javë, presidenti i zgjedhur ritheksoi mendimin e tij se prokurori Smith ishte emëruar në mënyrë të paligjshme.

“Ai u tërhoq nga çështja me turp. Pse duhet të lejohet të shkruajë një raport të rremë? Do të ishte vetëm një raport i rremë”, tha ai.

Prokurorëve të posaçëm u kërkohet me ligj që të përpilojnë raporte përmbledhëse. Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara tha se do të publikonte raportin e prokurorit Smith mbi sulmin e 6 janarit në Kapitol. Bërja publike e këtij raporti mund të pengojë përpjekjet e zotit Trump për të falur personat e arrestuar për këtë sulm.

“Publikimi i raportit mund të nxjerrë në dritë faktin që shumë nga veprimet e 6 janarit ishin të planifikuara, keqdashëse dhe kriminale. Kjo do ta bënte atë të dukej se ai po falë aktivitetin kriminal të këtyre njerëzve”, thotë ekspertja Shannon Bow O'Brien nga Universiteti i Teksasit në Austin.

Çështja e kartërt penale ka të bëjë me ndërhyrjen në zgjedhje në shtetin e Xhorxhias. Prokurorja u detyrua të tërhiqej nga kjo çështje për shkak të një marrëdhënieje të papërshtatshme me një punonjës. Pra, çështja është bllokuar derisa të pushohet apo të caktohet një prokuror tjetër.

"Mendoj se votuesit në të vërtetë shpresojnë që e gjithë kjo gjë të marrë fund dhe se tani ne mund të fillojmë përsëri me një mandat të dytë të zotit Trump", thotë eksperti Gary Rose.

Mandati i dytë i Presidentit të zgjedhur Trump fillon të hënën, më 20 janar.

Republikani Donald Trump bëhet personi i parë i dënuar për një krim që merr presidencën.