Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë njoftoi të enjten se periudha e votimit për shtetasit e Kosovës jashtë vendit ka nisur nga sot dhe do të zgjasë deri më 8 shkurt.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, rreth 105 mijë qytetarë jashtë Kosovës janë regjistruar për të votuar. Prej tyre rreth 85 mijë janë regjistruar për të votuar përmes postës, ndërsa 20 mijë pritet të votojnë më 8 shkurt në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.
Numri më i madh i votuesve jashtë vendit është regjistruar në Gjermani dhe Zvicër.
Njëzetetetë subjekte politike, prej të cilave 20 parti politike, pesë koalicione, dy lista qytetare dhe një kandidat i pavarur janë certifikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet e reja parlamentare që mbahen me 9 shkurt.
Gjashtë subjekte janë nga radhët e komunitetit serb përfshirë Listën Serbe parti kjo e themeluar dhe mbështetur nga Beogradi.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi të mërkurën fletëvotimin kundër të cilit votuan përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, pasi aty është përfshirë edhe Lista Serbe, certifikimi i së cilës është kundërshtuar nga kjo lëvizje për shkak se siç thuhet, kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Kurti kishte nisur një ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, pasi që në ditën e fundit të vitit që lamë pas Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se vendimi i këtij paneli për certifikimin e Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit, është i detyrueshëm dhe duhet të zbatohet.
Partia në pushtet theksoi në ankesën e saj se “nxjerrja e vendimit në emër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por pa miratim të këtij komisioni është sulm ndaj rendit ligjor për shkak të Listës Serbe. Secili vendim i KQZ-së duhet t'i nënshtrohet votimit nga anëtarët e tij”.
Por, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa hodhi poshtë të enjten si të palejuar ankesën e lëvizjes Vetëvendosje për të anuluar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për certifikimin e Listës Serbe.
Fushata për zgjedhjet e 9 shkurtit pritet të fillojë të shtunën me 11 janar.