Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier tha të premten se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj partneritetit me Kosovën dhe rrugës së saj drejt përparimit.
Ai i bëri këto komente në takimin e tij të fundit zyrtar si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Kosovë. Së bashku me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, vendosi kurora lulesh pranë shtatores së presidentit të parë të vendit Ibrahim Rugova, në qendër të Prishtinës.
Your browser doesn’t support HTML5
Ambasadori Hovenier tha se përmbyllja e misionit te shtatorja e ish presidentit Rugova është shprehje e nderimit për atë që ai përfaqësoi.
“Këmbënguljen e tij për të drejtat dhe mbrojtjen e të gjithë popullit të Kosovës, këmbënguljen e tij për një shtet sovran demokratik, shumetnik e të bëgatë, këmbënguljen e tij për t'i arritur ato qëllime në mënyrë proporcionale me vlerat më të larta të bashkësisë ndërkombëtare”, tha ambasadori Hovenier.
Ai tha se përgjatë shërbimit të tij trevjeçar si ambasador ka bërë përpjekje që të ndihmojë përparimin e Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj partneritetit tonë. Ne duam ta shohim Kosovën të ketë sukses dhe të përparojë. Kur mendoj se si ishte ky vend kur fillova të punoja për herë të parë në fund të viteve nëntëdhjetë, kur mendoj se si ishte në kohën e pavarësisë dhe kur mendoj se si është tani, nuk ka dyshim për përparimin dhe për kapacitetin dhe qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës për të parë realizimin e vizionit të tij për një shtet sovran, të pavarur, demokratik, shumë etnik, të begatë dhe të suksesshëm”, tha ai.
“E falënderoj ambasadorin Hovenier për kontributin e tij në mbrojtjen e këtyre vlerave, për zërin e tij të fuqishëm në mbrojtjen e shtetit të pavarur, sovran, multietnik dhe në kufijtë aktual të Republikës së Kosovës”, tha presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.
Lexoni edhe këtë Osmani: Rrezikimi i aleancave cenon vet KosovënAjo ritheksoi siç tha rëndësinë e ruajtjes së bashkëpunimit me aleatët e vendit, e që sipas saj ishte vlerë e ish presidentit Ibrahim Rugova
“Mbrojtja e sovranitetit dhe aleancave shkojnë bashkë dhe janë të ndërlidhura shumë ngushtë me njëra tjetrës. Kur ke miq të fuqishëm pranë, kur ke miqësi që janë të bazuara në vlera atëherë edhe populli i Kosovës edhe shteti i Kosovës, shteti sovran në mbrojtje të plotë të integriteti territorial, ecën përpara”, tha ajo.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha muajin e kaluar se aleancat mes shteteve janë më të mëdha e më të rëndësishme se cilido politikan apo një palë zgjedhjesh dhe se rrezikimi dhe cenimi i tyre, cenon vet Kosovën, në një referencë të qartë të mospajtimeve të qeverisë së Kosovës me aleatët rreth zhvillimeve në veri, që nxitën përplasje edhe brenda vet institucioneve.