Vendet perëndimore dhe Rusia u angazhuan në një betejë për ndikim në Evropën Lindore në vitin 2024, ndërsa zgjedhjet u mbajtën në disa vende që dikur ishin në sferën e ndikimit sovjetik. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, Moska është akuzuar gjerësisht për ndërhyrje në demokracinë evropiane pas sulmit të saj frontal në Ukrainë në vitin 2022.
Your browser doesn’t support HTML5
Dhjetëra mijëra gjeorgjianë organizuan demonstrata pranverën e kaluar kundër ligjit të qeverisë për "agjentët e huaj" - i mbiquajtur nga kritikët "ligji rus", për shkak të legjislacionit të ngjashëm të përdorur prej kohësh nga Moska për të shtypur kundërshtarët.
Protestat u shndërruan në një betejë për të ardhmen e Gjeorgjisë.
Opozita i vari shpresat në zgjedhjet e përgjithshme të tetorit. Por partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane fitoi me mbi 53% të votave.
Monitoruesit akuzuan Ëndrrën Gjeorgjiane për manipulim të gjerë të votimeve, gjë që ajo e mohoi. Protestuesit u rikthyen në rrugë.
“Thjesht dua që ne të shikojmë drejt Evropës dhe jo pas tek gropa nga e cila sapo dolëm”, thotë protestuesja Salome Bakhtadze.
Qeveria nisi një goditje brutale ndaj protestave dhe pezulloi bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Uashingtoni nga ana e tij pezulloi partneritetin strategjik me Gjeorgjinë.
Kryeministri Irakli Kobakhidze u tregua i vendosur.
"Jemi absolutisht të përkushtuar për ta neutralizuar plotësisht opozitën radikale", tha ai.
Moldavia – një tjetër ish-republikë sovjetike – mbajti gjithashtu zgjedhje të ashpra presidenciale në tetor.
Pavarësisht provave të shumta të ndërhyrjes nga Moska, Presidentja pro-evropiane Maia Sandu fitoi në raundin e dytë të nëntorit me 55% të votave.
“Sot, të dashur moldavë, ju keni dhënë një leksion mbi demokracinë”, deklaroi ajo.
Në Rumaninë fqinje, kandidati i ekstremit të djathtë Calin Georgescu – i cili kundërshton ndihmën perëndimore për Ukrainën – shënoi një fitore tronditëse në raundin e parë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, pavarësisht nga anketimet parazgjedhore që tregonin se ai gëzonte një mbështetje nën dhjetë përqind.
Por rezultati u anulua nga gjykata e lartë e Rumanisë pasi shërbimet e sigurisë zbuluan një fushatë dezinformimi për ta mbështetur zotin Georgescu në mediat sociale – një përpjekje për të cilën fajësohet gjerësisht Rusia dhe të cilën ajo e mohon.
"Fushata e këtij kandidati u mbështet nga një vend i huaj", tha Presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis.
Analistët thonë se Rusia po ndërhyn në demokracinë evropiane – por tabloja është më komplekse.
“Unë gjithmonë do të theksoja dobësitë lokale, faktin që ndonjëherë ekziston një hendek i tillë ndërmjet elitës dhe popullsisë. Dhe ndonjëherë Rusia thjesht përpiqet ta zgjerojë këtë hendek", thotë analisti politik Costin Ciobanu.
Zgjedhjet janë zhvilluar në sfondin e konfliktit të armatosur brutal në Ukrainë, pas sulmit të Rusisë në vitin 2022.
Analistët thonë se konflikti – dhe përgjigja e Evropës – vazhdojnë të ndikojnë tek politika dhe votuesit evropianë.