Rrëzohet një avion në Kazakistan, 38 të vdekur

Një avion udhëtarësh Embraer që fluturonte nga Azerbajxhani për në Rusi u rrëzua të mërkurën pranë qytetit Aktau në Kazakistan, me 62 udhëtarë dhe 5 anëtarë të ekuipazhit në bord, njoftuan autoritetet kazake. Të paktën 29 persona i mbijetuan aksidentit dhe më shumë se 38 prej tyre dyshohet të kenë vdekur.

Një video e paverifikuar shfaqi avionin e agjencisë Azerbajxhani Airlines, duke shpërthyer në flakë ndërsa u përplas në tokë dhe më pas u ngrit tym i zi i dendur. Udhëtarë të përgjakur dhe të mavijosur mund të shiheshin duke u larguar ga një pjesë e avionit që kishte mbetur e pashkatërruar.

Ministria e emergjencave e vendit të Azisë Qendrore, tha në një deklaratë se zjarrfikësit shuan flakët dhe të mbijetuarit, përfshirë tre fëmijë, po trajtohen në një spital aty pranë.

Azerbajxhani Airlines tha se avioni Embraer 190, po fluturonte nga Bakuja për në Grozny, kryeqyteti i Çeçenisë, por ishte detyruar të bënte një ulje emergjente rreth 3 kilometra larg nga qyteti i Kazakistanit, Aktau.

Agjencitë ruse të lajmeve thanë se avioni kishte ndryshuar rrugën për shkak të mjegullës në Grozny.

Autoritetet në Kazakistan thanë se po shqyrtojnë versione të ndryshme të mundshme të asaj që ndodhi, përfshirë një problem teknik, njoftoi agjencia ruse e lajmeve Interfax.

Agjencia mbikëqyrëse e aviacionit të Rusisë tha në një deklaratë se informacionet paraprake sugjeronin se piloti kishte vendosur të bënte një ulje emergjente pas një përplasjeje me zogj.

Pas rrëzimit, Ilham Aliyev, presidenti i Azerbajxhanit, po kthehej në shtëpi nga Rusia, ku do të merrte pjesë në një takim të mërkurën, njoftoi agjencia ruse e lajmeve RIA.

Ramzan Kadyrov, udhëheqësi i Çeçenisë, i mbështetur nga Kremlini, shprehu ngushëllimet e tij në një deklaratë dhe tha se ata që po trajtohen në spital janë në gjendje jashtëzakonisht të rëndë dhe se ai dhe të tjerët do të luten për shërimin e tyre të shpejtë.