Santa Klausi përgatitet për dërgimin e dhuratave në të gjithë botën

Në Lapland, shumë pranë Rrethit Arktik, Santa Klausi, po përgatitet për udhëtimin e tij për dërgimin e dhuratave në mbarë botën. Moti i pazakontë, i ngrohtë në këtë periudhë të vitit, ka sjellë më pak dëborë për vizitorët në vendlindjen e Santa Klausit, pranë qytetit verior të Finlandës, Rovaniemi.

Your browser doesn’t support HTML5

Santa Klausi përgatitet për dërgimin e dhuratave në të gjithë botën

Eshtë mëngjes, herët, në Fshatin e Santa Klausit që gjendet shumë pranë Rrethit Arktik, rreth 8 kilometra larg nga veriu i Rovaniemit, kryeqytet i rajonit finlandez Lapland.

Në këtë periudhë të vitit, dielli nuk lind deri në orën 11:00, por kjo nuk e pengon Santa Klausin dhe Elfët e tij që të bëjnë përgatitjet e fundit për natën e Krishtlindjes.

Ai thotë se Elfët kanë punuar shumë. Ndërsa Santa Klausi, jo dhe aq shumë.

“Përgatitjet po shkojnë shumë mirë për momentin. Elfët po punojnë shumë, janë shumë të aftë dhe në fakt po bëjnë të gjithë punën, unë thjesht po takoj njerëz këtu”, thotë ai.

Tani që lista e Santa Klausit thuajse ka përfunduar, mund të arrihet në një konkluzion nëse fëmijët kanë qenë të këqij apo të sjellshëm gjatë vitit 2024.

“Fëmijët e vitit 2024 kanë qenë shumë të mirë… shumicën e kohës”, thotë ai.

“Nuk pritet të jeni të mirë gjatë gjithë kohës, sepse kjo nuk është e mundur, por nëse ia dilni të jeni shumicën e kohës, atëherë është në rregull. Më mjafton edhe kur përpiqeni maksimalisht të jeni të mirë. Ka disa probleme me të rriturit, por fëmijët kanë qenë shumë të mirë dhe janë sjellë siç duhet”, thotë Santa Klausi.

Sipas të dhënave të autoriteteve lokale, mbi 600 mijë njerëz vizitojnë çdo vit qytetin Rovaniemi, për të takuar Santa Klausin, për të luajtur në dëborë dhe për ndjerë aromën festive.

“E kemi patur përherë dëshirë të vinim këtu dhe të shihnim se ku jetonte Santa Klausi, pra sa më afër Polit të Veriut të ishte e mundur", thotë 41-vjeçarja nga Sllovakia, Lucia, e cila po vizitonin qytetin së bashku me djalin e saj të vogël, Walter.

30- vjeçarja Perla Karam nga Libani po viziton rajonin Lapland të Finlandës për të takuar Santa Klausin dhe ndoshta për të parë Dritat Veriore. (Dritat Polare).

“Ky është viti epik për Dritat Veriore. Ndaj kam ardhur!”, thotë ajo ndërsa buzëqesh.

Terezya Saboova nga Sllovakia i solli Santa Klausit një punim dore me një pemë Krishtlindjes të qendisur në të.

“Më tha, faleminderit shumë. Tani që Santa Klausi e mori dhuratën time, po pres dhe unë të tijën. Është vërtet bukur, por mungon pak borë”, thotë ajo.

Duke qenë një mot i ngrohtë i pazakontë për këtë periudhë të vitit, në Fshatin e Santa Klausit ka më pak dëborë.

Sipas Institutit Meteorologjik Finlandez, kjo vjeshtë ishte "jashtëzakonisht e ngrohtë" në pothuajse në të gjithë vendin nordik.

“Këtë vit periudha e reshjeve të dëborës erdhi më vonë. Pati temperatura jashtëzakonisht të larta në fillim të nëntorit. Ditët e ngrohta e shkrinë borën që kishte zënë”, shpjegon Mika Rantanen, studiues në Institutin Meteorologjik Finlandez.

"Vitet janë kaq të ndryshme," thotë Sanna Karkkainen, drejtoreshë e bordit turistik lokal Visit Rovaniem.

“Ndonjëherë dimri vjen me shumë borë, si viti i kaluar dhe tani kishte borë, por u shkri. Tani ka më shumë akull dhe ne presim gjatë gjithë kohës që të kemi më shumë borë”, tregon ajo.

Por fakti që ka më pak dëborë, nuk po i pengon vizitorët të shkojnë në shtëpinë e Santa Klausit.

“Shpesh dëgjoj nga të rriturit që thonë se ku është biçikleta ime? Ajo biçikletën blu që e kërkova 30 vjet më parë.Dhe pastaj shohim se arsyeja është se ata nuk e kanë shkruar letrën për mua. Unë nuk e dija dëshirën e tyre. Dhe pastaj më thonë se do ta përsërisin kërkesën dhe do të presin se çfarë do të ndodhë", rrëfen Santa Klausi.

Për ata që nuk mund ta takojnë Santa Klausin personalisht, ekziston metoda e vjetër, ajo e dërgimit të letrave.

Në zyrën postare të fshatit aty pranë, Elfët e Santa Klausit po zgjedhin me zell mijëra letra të dërguara nga e gjithë bota.

Zyra postare merr në çdo Krishtlindje mbi gjysmë milioni letra dhe lista dëshirash.

Ka raste, që në postë mbërrijnë mbi 30 mijë letra në ditë.

"Legot, janë përherë mes tre dëshirave të para, më pas librat, arushat prej pelushi," thotë Elf Katja.

Tani që ka lexuar letrat dhe ka paketuar edhe dhuratat, Santa Klausi dërgon mesazhin e tij të Krishtlindjes, duke shpresuar se njerëzit do të ndjejnë "gëzim gjatë kohës së Krishtlindjes".

“Nëse vështroni përreth, mund të shihni njerëz të vetmuar, ndoshta ju mund të jeni një mik për ta. Por gëzohuni në Krishtlindje, ky është mesazhi këtë vit”, thotë Santa Klausi.