Izraeli intercepton një raketë nga Jemeni

Pamje e publikuar nga zyra e mediave e grupit rebel Houthi, që tregon një raketë të hedhur në drejtim të Izraelit nga ky grup. Pamja është publikuar më 19 dhjetor, 2024/Via Reuters

Ushtria izraelite njoftoi sot se ka interceptuar një raketë nga Jemeni para se të hynte në territorin e Izraelit. Raketa, e treta e hedhur brenda javës së fundit, aktivizoi sistemet e mbrojtjes ajrore. Sulmi vjen ndërkohë që Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz kërcënoi drejtuesit e rebelëve Houthi në Jemen se vendi i tij është i gatshëm të ndërmarrë veprime ndaj tyre, siç bëri në rastin e eliminimit të përfaqësuesit politik të Hamasit, Ismail Hanijeh.

Your browser doesn’t support HTML5

Izraeli intercepton një raketë nga Jemeni

Banorët e një pjese të banuar dendur në Izrael u detyruan gjatë natës të futen në vendstrehimeve pas aktivizimit të sirenave dhe sistemeve mbrojtëse ajrore ndaj një rakete të hedhur nga Jemeni. Raketa u interceptua para se të hynte në Izrael.

Mes panikut një grua 60 vjeçare u plagos rëndë ndërsa po përpiqej të gjente strehim.

Rebelët e grupit Houthi, që mbështetet nga Irani dhe veprojnë në Jemen, nuk e komentuan sulmin, të tretin brenda kësaj jave.

Të shtunën, një raketë, të cilën mbrojtja ajrore izraelite dështoi ta interceptonte, goditi një park lojrash në Tel Aviv, duke plagosur 16 persona.

Ministri izraelit i Mbrojtjes Israel Katz u zotua se Izraeli do t’i vihet pas udhëheqësit të rebelëve Houthi në Jemen.

“Nuk do të pajtohemi me faktin që rebelët Houthi vazhdojnë ta sulmojnë shtetin e Izraelit. I kam paralajmëruar se do të përballemi me ta njësoj në Sanaa dhe kudo tjetër në Jemen, siç kemi bërë me Sinuarin në Gazë, Hanijen në Teheran dhe Nasrallahun në Bejrut”, tha ai.

Deklarata e zotit Katz shënoi herën e parë që Izraeli konfirmonte se qëndronte pas shpërthimit që vrau udhëheqësin e Hamasit Ismail Hanijeh në Teheran gjatë verës. Ai tha gjithashtu se Izraeli ka vrarë edhe udhëheqës të tjerë të Hamasit dhe Hezbollahut, ka ndihmuar në rrëzimin e Bashar al Assadit në Siri si dhe ka shkatërruar sistemet kundër-raketore të Iranit.

“Do të veprojmë ndaj infrastrukturës dhe ndaj tyre për ta eliminuar kërcënimin”, shtoi ai.

Ndërkohë, Izraeli udhëzoi misionet diplomatike që të bëjnë përpjekje në shtetet evropiane që ta përcaktojnë grupin Houthi si organizatë terroriste. Aktualisht, ky grup është shpallur si i tillë nga Shtetet e Bashkuara, Australia, Kanadaja, Arabia Saudite, Malajzia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Gjatë vitit të fundit, rebelët Houthi kanë sulmuar vazhdimisht Izraelin me raketa dhe dronë, në shenjë solidarizimi me palestinezët në Gazë. Sulmet e tyre kanë shkaktuar ndërprerje në rrugët ndërkombëtare detare për transportimin e mallrave, duke i detyruar kompanitë të gjejnë rrugë më të gjata dhe me kosto më të lartë, që shtuan shqetësimet për inflacion në nivel botëror.

Deri tani, Izraeli ka ndërmarrë tre sulme ajrore ndaj objektivave në Jemen dhe është zotuar se do të shtojë trysninë ndaj grupit të rebelëve për t’iu dhënë fund sulmeve të tyre.