Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e certifikoi të hënën Listën Serbe, partinë më të madhe të serbëve në Kosovë për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, duke nxitur reagimin e ambasadës amerikane e cila tha se vendimi është nxitur nga kriteret e motivuara politikisht.
Për certifikimin e saj votuan dy anëtarë të Komisionit, shtatë abstenuan, ndërsa kundër votuan përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, duke theksuar se kjo parti e themeluar dhe e mbështetur nga Beogradi nuk e njeh shtetin e Kosovës.
“Unë nuk mundem me çu dorën për të certifikuar një subjekt që hapur nuk e pranon shtetin. Personi që ka qenë nënkryetar, ka organizuar dhe ka udhëheq sulmin në Banjskë ku është vrarë një polic në sulmin terrorist. Kjo listë, ky subjekt politik kurrë nuk është deklaruar publikisht për ta dënuar këtë sulm. Kemi lidhjen tjetër të sulmit të fundit në kanalin Ibër-Lepencit”, tha përfaqësuesi i lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi.
Ish nënkryetari i Listës Serbe Milan Radojçiç mori përsipër përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit të vitit 2023 në veri më ç’rast u vra një oficer i policisë së Kosovës.
Arianit Elshani nga Partia Demokratike tha se pajtohet me shqetësimet e anëtarëve të Komisionit nga radhët e lëvizjes Vetëvendosje, mirëpo Zyra për Regjistrim të Partive politike i ka dhënë dritën jeshile certifikimit të Listës Serbe.
“Ky rekomandim është i bazuar në disa institucione, është i bazuar në deklarimet e Ministrinë e Punëve të Brendshme, është i bazuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Unë në këtë rast dua të shprehë se abstenoj nga votimi për këtë proces për certifikim të këtij subjekti politik, pra nuk do të marr pjesë në votim përderisa kemi shqetësime të njëjta si anëtarë dhe konsideroj se certifikimi i secilit subjekt politik që bëhet këtu në KQZ duhet të bëhet me konsensus ashtu siç ka ndodhur gjithmonë”, tha ai.
Nuk pati një reagim të menjëhershëm të Listës Serbe dhe deri në përgatitjen e këtij materiali ajo nuk u përgjigj në përpjekjet e Zërit të Amerikës për të komentuar vendimin. Ndërkohë Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se Kryeministri i Kosovës Albin Kurti “aktualisht po përpiqet të eliminojë kundërshtarin e vetëm politik në Kosovë, që është Lista Serbe”.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë shprehu siç tha shqetësimin e thellë lidhur me veprimet e disa anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos certifikuar kandidatët e Listës Serbe.
“Ne jemi të shqetësuar nga përfshirja e dukshme e kritereve të motivuara politikisht në procesin e certifikimit të kandidatëve në KQZ”, tha një zëdhënës i ambasadës amerikane për Zërin e Amerikës.
Zëdhënësi i ambasadës amerikane tha se veprime të tilla minojnë parimet themelore demokratike të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, pasi i hapin derën ndikimit subjektiv politik mbi procesin zgjedhor.
“Ne i bëjmë thirrje çdo partie që ka probleme me proceset e KQZ-së që të shfrytëzojë mekanizmat institucionalë në fuqi, përkatësisht Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP)”, tha zëdhënësi duke theksuar se është thelbësore që votuesit dhe jo organet politike, të vendosin se kush i përfaqëson ata.
Vëzhguesit e zgjedhjeve thonë se procesi i certifikimit nuk ka përfunduar. Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës i tha Zërit të Amerikës se vendimi i sotëm i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është i motivuar politikisht.
“Prandaj unë besoj se ky vendim i KQZ-së është më shumë për konsum ditor politik dhe jo që realisht do të krijojë ndonjë situatë të tillë për shkak se nga precedentët edhe nga zgjedhjet e kaluara e sidomos ta zëmë në vitin 2019 kur kemi pasur një situatë të njëjtë.Lista Serbe posa ta ankimojë këtë vendim pranë Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i njëjti bazuar në praktikën tashmë gjyqësore do të vendos për certifikimin automatik të Listës Serbe duke ia pamundësuar tashmë KQZ-së vendimmarrjen mbi këtë çështje. Pra. në këtë rast KQZ urdhërohet që ta bëjë certifikimin pa pasur nevojë që edhe një herë të ndiqen të gjitha procedurat”, tha zoti Cakolli.
Ai vuri theksin te fakti se zyra për certifikimin e subjekteve politike ka rekomanduar certifikimin e Listës Serbe që nënkupton se ajo i ka plotësuar kriteret minimale ligjore për të qenë pjesë e zgjedhjeve. Sipas tij Komisioni Qendror nuk ka diskrecion e as autorizim ligjor që të merret me vlerësimin e deklaratave të aktorëve politikë.
“Posa Lista Serbe të marrë vendimin zyrtar të KQZ-së, për shkak se KQZ duhet të lëshojë një vendim se nuk certifikohet ky subjekt politik, do të ketë në dispozicion një afat për ankimim të këtij rasti dhe pastaj Paneli Zgjedhor do të ketë tre deri në katër ditë kohë për të marrë një vendim mbi çështjen dhe edhe nëse PZAP nuk e certifikon atëherë Gjykata Supreme do të duhej që brenda një afati katër deri në pesë ditë të marrë vendim dhe të certifikojë Listën Serbe për të garuar në zgjedhje”, tha ai.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar tashmë 27 subjekte politike, prej të cilave: 19 parti politike, 5 koalicione, 2 nisma qytetare dhe 1 kandidat i pavarur, për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit. Pesë nga subjektet e certifikuara janë nga radhët e komunitetit serb.