Elon Musk: Starlink tashmë edhe në Kosovë

  • VOA

Platforma e internetit satelitor të kompanisë Starlink Services, pronë e kompanisë amerikane SpaceX të miliarderit Elon Musk, do të operojë edhe në Kosovë.

Vet zoti Musk shpërndau njoftimin e kompanisë Starlink e cila tha se ‘‘Interneti me shpejtësi të lartë dhe me vonesa të pakta i Starlink-ut tani është në dispozicion edhe në Kosovë!’’.

Postimit të zotit Musk i bëri jehonë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Mirësevini në Kosovë”, shkroi ajo.

SpaceX nisi satelitët e saj të parë testues Starlink në orbitën e Tokës në vitin 2018 dhe satelitët e parë operacionalë në vitin 2019. Që atëherë SpaceX ka dërguar në orbitë më shumë se 5000 satelitë Starlinks nga Florida dhe Kalifornia, duke përdorur raketat e veta Falcon.

Në muajin tetor, Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare në Kosovë (ARKEP) tha se e ka autorizuar kompaninë amerikane Starlink, për ofrimin e qasjes në internet në çdo pjesë të Kosovës.

“Në gjithë globin, Starlink u ka mundësuar komuniteteve në nevojë të kenë qasje në arsim, shërbime shëndetësore, të mundësojnë punën në distancë dhe të ofrojnë mbështetje thelbësore të komunikimit gjatë fatkeqësive natyrore ose raste tjera të emergjencave”, thuhej në njoftimin e ARKEP-it, i cili vlerësoi se hyrja e kësaj kompanie globale në tregun vendor, do të ofrojë përfitime ekonomike dhe zhvillim të përgjithshëm të Kosovës.

Pas agresionit rus në Ukrainë, Elon Musk i ofroi vendit të sulmuar qasje në këtë rrjet.