Në pjesën perëndimore të Shteteve të Bashkuara, aktivistët që kishin përkrahur projektin më të madh në botë të heqjes të digave, po festojnë sukseset e para, por njëherësh po hasin edhe pengesa. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Matt Dibble, sjell materialin, nga lumi Klamath në kufirin mes shteteve të Kalifornisë dhe Oregonit.
Your browser doesn’t support HTML5
Diga hidroelektrike e fundit, nga 4 të tilla të amortizuara, u hoq këtë vit nga lumi Klamath, një lumë rreth 400 kilometra i gjatë, që shrihet nga jugu i Oregonit në brigjet e Kalifornisë.
Është projekti më i madh i zbatuar ndonjëherë për çmontime digash, me synimin për të rifituar ekosistemin e lumit dhe për të rikthyer peshqit e larguar prej kohësh. Përpjekja masive duket se po jep rezultat.
Vetëm dy muaj pasi u hoq diga e fundit, në fund të gushtit, u vunë re peshq salmon duke lëshuar vezët, në një degë të lumit, ku nuk kishin mundësi të shkonin prej100 vjetësh.
Por zhbërja e kësaj ndërhyrjeje të njeriut para një shekulli mbart me vete rreziqe mjedisore.
Dave Coffman, është drejtues i projektit për lumin Klamath, nga kompania “Resource Environmental Solutions”. Ai thotë se e ka pritur këtë moment prej 5 vjetësh.
"Fatmirësisht, rikthimi i ekosistemit të lumit dhe përfitimet prej saj, do të jenë shumë më të dobishme se sa ndikimi afatshkurtra", shprehet ai.
Si pasojë e tharjes së ujëmbledhësave që ndodheshin pas digave, u çliruan tonelata të tëra me llum të grumbulluar prej kohësh. Ujrave të përzier me llucë u mungonte oksigjeni, duke bërë që disa peshq të ngordhnin. Mbas tharjes, mbetën afërsisht 900 hektarë me shtresa të trasha llumi, duke “i zënë në kurth” disa kafshë që po kërkonin ujë.
Tashmë të tharë, rezervuarët janë terrene që sfidojnë përpjekjet për rikthimin e florës.
“Ne nuk po mbjellim në tokë pjellore, por në një sipërfaqe të vdekur algash, të cilat tashmë kanë krijuar këtë shtresë llumi në shtratin e rezervuarit. Ky i fundit, pas tharjes, është ngurtësuar si betoni”, thotë zoti Coffman.
Gjatë pesë viteve të fundit, pjesëtarë kryesisht të fisit Yurok kanë mbledhur fara nga bimët dhe pemët autoktone.
Pranverën e shkuar, farat u hodhën me helikopterë dhe me dorë, për të përfituar nga shirat e fundit, para vapës së verës.
“Bëhet fjalë për rreth 29 tonë fara. Viti i parë ishte fantastik. Mbjellja me dorë ishte jashtëzakonisht e suksesshme. Dhe ai peizazh, ishte plot jetë. Bletët, zogjtë, gjitarët", tregon Josh Chenoweth, ekologjist i fisit Yurok.
Por jo të gjitha krijesat janë të mirëseardhura. Kuajt e egër enden lirshëm dhe kullosin bimësinë këtu. Tufa, e cila u mblodh nga një fermer lokal për të shuar zjarret, tani kërcënon përpjekjet për ri-bimësi.
“Numri i kuajve të egër në është rritur nga një numër i vogël, në ndoshta 200 tani”, shprehet zoti Coffman.
"Këtu mund të shihni gjurmë kuajsh. Janë dëmtime nga thundrat e kuajve, kuaj që vijnë këtu dëmtojnë bimësinë", tregon Daniel DiIulio nga kompania “Resource Environmental Solutions”.
Ekipi po ngre një gardh 15 kilometra të gjatë për të mos lejuar kuajt, si dhe po heq barërat e këqija me dorë, si pjesë e përpjekjeve për rikthimin e ekosistemit, përpjekje që pritet të vazhdojnë dhe për të paktën pesë vjet të tjerë.