Numri i viktimave si pasojë e sulmit në një treg Krishtlindjesh në qytetin gjerman të Magdeburgut arriti në pesë dhe më shumë 200 të tjerë janë plagosur, sipas autoriteteve lokale. Policia arrestoi një mjek saudit 50-vjeçar i cili dyshohet se përplasi qëllimisht makinën në tregun e Krishtlindjeve të premten në mbrëmje duke goditur turmën e njerëzve.
Your browser doesn’t support HTML5
Banorët në qytetin gjerman Magdeburg shprehën dhimbjen këtë të shtunë për viktimat si pasojë e sulmit në një treg Krishtlindjesh.
“Ne ishim në tregun e Krishtlindjeve dje. U larguam në orën 18:00, më vonë mësuam për ngjarjen e tmerrshme”, thotë një banore.
“E pashë lajmin në celular. Dhe pastaj menjëherë ndeza televizorin dhe telefonova të githë miqtë e mi për të parë nëse të gjithë ishin mirë. Ishte e tmerrshme”, thotë një tjetër banore.
Autoritetet e arrestuan një 50-vjeçar saudit në vendin e sulmit të premten në mbrëmje. Ai ka jetuar në Gjermani për gati dy dekada, duke ushtruar profesionin e mjekut në Bernburg, rreth 40 kilometra në jug të Magdeburgut thanë zyrtarët.
Disa media gjermane e identifikuan të arrestuarin si Taleb A., duke mos publikuar mbiemrin e tij në përputhje me ligjet e privatësisë.
Një burim saudit i tha agjencisë së lajmeve Reuters se Arabia Saudite kishte paralajmëruar autoritetet gjermane për sulmuesin pasi ai prej kohësh postonte pikëpamjet ekstremiste në llogarinë e tij personale në rrjetin social “X”.
Duke e përshkruar veten si një ish-mysliman, i dyshuari shpërndante dhjetëra postime në rrjetin “X” çdo ditë duke u përqendruar në temat anti-islame, duke kritikuar fenë dhe duke uruar myslimanët që braktisën besimin.
Revista “Der Spiegel” raportoi se i dyshuari kishte shprehur mbështetje për partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD). Gazeta tjetër FAZ tha se e kishte intervistuar të dyshuarin në vitin 2019, duke e përshkruar atë si një aktivist anti-islam.
Një vlerësim i rrezikut ndaj këtij individi kryer vitin e kaluar nga hetuesit penalë shtetërorë dhe federalë gjermanë arriti në përfundimin se ai nuk përbënte “asnjë rrezik specifik”, raportoi gazeta Welt, duke cituar burime të sigurisë.
Kancelari Olaf Scholz dhe ministrja e Brendshme, Nancy Faeser vizituan vendgjarjen të shtunën.
“Çfarë akti i tmerrshëm është të plagosësh dhe vrasësh kaq shumë njerëz me një brutalitet të tillë. Mbi 200 njerëz janë plagosur. Pesë kanë vdekur deri më tani. Rreth 40 të plagosur, janë në gjendje të rëndë. Ne do të qëndrojmë së bashku, sepse urrejtja nuk do të përcakotjë të ardhmen tonë”, tha Kancelari gjerman.
Gjermania ka pësuar një sërë sulmesh ekstremiste në vitet e fundit, duke përfshirë një sulm me thikë që vrau tre persona dhe plagosi tetë në një festival në qytetin perëndimor Solingen në gusht.
Tetë vjet më parë një ekstremist islamik goditi turmën me një kamion në një treg Krishtlindjesh në Berlin, duke vrarë 13 persona dhe duke plagosur shumë të tjerë. Sulmuesi u vra disa ditë më vonë në një shkëmbim zjarri në Itali.
Ngjarja e së premtes të mbrëmje bëri që disa qytete të tjera gjermane të anulonin tregjet e Krishtlindjeve si një masë paraprake dhe për solidaritet.