Kina lejon inspektimin e anijes së dyshuar për prerje të kabllove të komunikimit në Detin Baltik

Anija Yi Peng 3

Kina ka lejuar inspektorët nga Gjermania, Suedia, Finlanda dhe Danimarka të hipin në një anije kinez të transportit të mallrave, e cila është në qendër të një hetimi për prerjen e kabllove të komunikimit në Detin Baltik, tha të enjten ministri i jashtëm danez.

Drejtuesit e anijes “Yi Peng 3” kërkohen në Suedi për t'u marrë në pyetje në kuadër të hetimit mbi prerjen e dy kabllove nënujore në nëntor ndërsa anija ka qendruar e palëvizshme në ujërat aty pranë për një muaj. Diplomatët në Stokholm dhe Pekin po diskutojnë për çështjen.

Hetuesit e zbuluan me shpejtësi anijen në fjalë e cila u largua nga porti rus “Ust-Luga” më 15 nëntor, dhe një analizë nga agjencia e lajmeve Reuters e të dhënave të kompanisë “MarineTraffic” nxjerr në pah se anija ndodhej në koordinatat e e vendit ku ndodhen kabllot në kohën kur ato ishin prerë.

Kabllot nën Detin Baltik, njëra që lidh Finlandën dhe Gjermaninë dhe tjetra Suedinë me Lituaninë, u dëmtuan më 17 dhe 18 nëntor, duke bërë që ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius të thoshte se incidenti mund të ishte sabotazh.

Ministri i Jashtëm danez Lars Lokke Rasmussen të enjten tha se vendi i tij kishte organizuar një takim në fillim të kësaj jave mes përfaqësuesve nga Gjermania, Suedia, Finlanda dhe Kina, duke i dhënë fund një ngërçi njëmujor.

"Ne presim që pasi të ketë përfunduar inspektimi nga ky grup njerëzish nga katër vendet, anija do të jetë në gjendje të lundrojë drejt destinacionit të saj", tha ministri Lokke Rasmussen.

Të dhënat e “LSEG” tregojnë se anija “Yi Peng 3” mbetet e ankoruar në të njëjtin vend në ngushticën Kattegat midis Danimarkës dhe Suedisë.

Policia suedeze tha në një deklaratë se ata morën pjesë në inspektimin e anijes vetëm si vëzhgues, ndërsa autoritetet kineze kryen hetimet.

“Paralelisht, po vijon hetimi paraprak për sabotazh në lidhje me prerjen e dy kabllove në Detin Baltik”, tha policia.

Veprimet e ndërmarra në bordin e anijes të enjten nuk ishin pjesë e hetimit paraprak të udhëhequr nga Suedia, shtoi policia.

Prerja e kabllove ndodhi në zonën ekskluzive ekonomike të Suedisë dhe prokurorët suedezë po udhëheqin hetimin mbi dyshimet për sabotim të mundshëm.

Zyrtarë të agjencive perëndimore të zbulimit kanë thënë se janë të bindur se anija kineze i preu dy kabllot. Ata kanë shprehur qëndrime të ndryshme mbi çështjen nëse veprimet ishin aksidentale apo të qëllimshme.

Kryeministri suedez Ulf Kristersson pas incidentit kërkoi kthimin e anijes në Suedi për të ndihmuar hetimin e ngjarjes.