NJU JORK - Aksionet në Shtetet e Bashkuara ranë në një ndër nivelet më të ulët për këtë vit, pasi Rezerva Federale la të kuptohet të mërkurën se mund të ofrojë më pak stimuj për ekonominë amerikane në vitin 2025, nga ç’mendohej më parë.
Bursa S&P 500 ra me 2.9%, shumë pranë humbjes më të madhe për këtë vit, ndërsa vetëm dy javë më parë pati arritur në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave. Mesatarja industriale në Dow Jones humbi 1,123 pikë, ose 2.6%, dhe në bursën Nasdaq pati rënie me 3.6%.
Rezerva Federale tha të mërkurën se po ul normën kryesore të interesit për herë të tretë këtë vit, duke e vazhduar kthesën e mprehtë të filluar në shtator, kur filloi të ulte normat nga niveli më i lartë i dy dekadave, për të mbështetur tregun e punës. Tregjeve financiare në Wall Street u pëlqejnë normat më të lehta të interesit, por kjo ulje jo aq e madhe pritej tashmë gjerësisht.
Pikëpyetja më e madhe përqendrohet në atë se sa më shumë do ta ulë normën e interesit Rezerva Federale vitin e ardhshëm. Shumë gjëra varen nga ky vendim, veçanërisht pasi pritshmëritë për një seri uljesh përgjatë vitit 2025, ndihmuan tregun amerikan të aksioneve të vendosë rekorde të reja 57 herë deri më tani në vitin 2024.
Zyrtarët e Rezervës Federale publikuan parashikime të mërkurën, duke treguar se pritshmëria mesatare e tyre është për dy ulje të tjera të normës gjatë vitit 2025, ose gjysmë pikë përqindjeje. Kjo është më pak se katër uljet që priteshin vetëm tre muaj më parë.
"Jemi në një fazë të re të procesit", tha kryetari i Rezervës Federale, Jerome Powell. Banka qendrore lehtësoi me shpejtësi normën kryesore të interesit me një pikë përqindje të plotë që nga shtatori.
I pyetur përse zyrtarët e Rezervës Federale po kërkojnë të ngadalësojnë uljen e normës së interesit, zoti Powell vuri në dukje se tregu i punës duket se po funksionon mirë në përgjithësi dhe se janë rritur treguesit e fundit të inflacionit. Ai përmendi gjithashtu pasiguritë, që do t'u kërkojnë politikëbërësve të reagojnë ndaj ndryshimeve të ardhshme, që pritet të përcaktohen për ekonominë.
Ndërsa normat më të ulëta mund të ndikojnë në ekonomi duke e bërë më të lirë huamarrjen dhe duke inkurajuar investimet, ato gjithashtu mund të ofrojnë më shumë nxitje për inflacionin.
Zoti Powell tha se disa zyrtarë të Rezervës Federale, por jo të gjithë, po përpiqen gjithashtu të përfshijnë pasiguritë e natyrshme me një administratë të re që vjen në Shtëpinë e Bardhë. Shqetësimet po rriten në Wall Street se preferencat e Presidentit të zgjedhur Donald Trump për tarifat dhe politikat e tjera mund të ushqejnë më tej inflacionin, së bashku me rritjen ekonomike.
"Kur rruga është e pasigurt, ju ecni pak më ngadalë", tha zoti Powell. Nuk është ndryshe nga ngarja e makinës në një natë me mjegull, ose ecja në një dhomë të errët plot mobilje. Thjesht e ulni shpejtësinë”.
Vetëm një prej anëtarëve të Rezervës Federale, zyrtarja nga Cleveland, Beth Hammack, mendon se Rezerva Federale nuk duhet të kishte bërë fare ulje të normës së interesit këtë radhë. Vota e saj ishte e vetmja kundër për vendimin e së mërkurës.