SHBA dënon burgosjen e gazetarit iraniano-amerikan Reza Valizadeh

Reza Valizadeh

Administrata e Presidentit Biden kritikoi Iranin për dënimin e një shtetasi iraniano-amerikan me 10 vjet burg, në të vetmin rast të raportuar publikisht të një shtetasi amerikan të burgosur nga Republika Islamike, që nga një shkëmbim i rrallë i të burgosurve mes dy vendeve në shtator të vitit 2023.

“Jemi në dijeni të njoftimeve mbi dënimin e personit me shtetësi iraniane dhe amerikane. Gazetari Reza Valizadeh është dënuar me 10 vjet burg në Iran”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit në një email të hënën, duke iu përgjigjur kërkesës së Zërit të Amerikës për koment lidhur me këtë çështje.

“Ne e dënojmë me forcë këtë vendim dhe bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tij dhe lirimin e të gjithë të burgosurve politikë në Iran”, shtoi zëdhënësi.

Ky ishte konfirmimi i parë nga Shtetet e Bashkuara se gazetari Valizadeh ishte burgosur në Iran që nga njoftimet e tetorit mbi arrestimin e tij në Iran në fund të shtatorit. Ai është një ish-gazetar i rrjetit simotër të Zërit të Amerikës, Radios ‘Farda’. Zoti Valizadeh u largua nga Radio Farda, shërbimi në gjuhën farsi, në vitin 2022. Ai shkoi në Teheran në shkurt për të vizituar familjen e tij pasi jetoi në Perëndim për 14 vjet, sipas postimit të tij të fundit në platformën X në gusht.

Avokati i zotit Valizadeh, Mohammad Hossein Aghasi njoftoi për dënimin e klientit të tij përmes një postimi të shtunën në platformën X. Ai tha se zoti Valizadeh u dënua nga një gjykatë iraniane me 10 vjet burg dhe një ndalim udhëtimi dy-vjeçar. Gjykata gjithashtu e ndaloi atë të qëndronte në provincën e Teheranit dhe provincat fqinje, dhe anëtarësimin në parti apo organizata për një periudhë dy vjeçare.

Në një intervistë të dielën me shërbimin në gjuhën farsi të Zërit të Amerikës, zoti Aghasi tha se gazetari Valizadeh ishte dënuar për bashkëpunim me një qeveri armiqësore, një referencë për Shtetet e Bashkuara.

“Ky ishte një dënim i rëndë, i bazuar në një akuzë të pasaktë”, tha avokati Aghasi. “Në të kaluarën, puna për mediat si Zëri i Amerikës konsiderohej nga gjykatat iraniane si ‘përfshirje në propagandë’ kundër qeverisë islamike të Iranit, por kohët e fundit kjo ka ndryshuar në ‘bashkëpunim me qeveri armiqësore’.”

Irani e sheh Zërin e Amerikës, Radion Farda dhe mediat e tjera në gjuhën farsi me seli në vendet perëndimore si entitete armiqësore, sepse ato raportojnë për protestat kundër regjimit islamik autoritar të vendit.

Zoti Aghasi tha për Zërin e Amerikës se shpresonte të bënte një apelim të suksesshëm kundër vendimit për të dënuar gazetarin Valizadeh në një gjykatë më të lartë.

Në një deklaratë dërguar Zërit të Amerikës, Stephen Capus, drejtori ekzekutiv i Radios Farda, Radios Evropa e Lirë dhe Radios Liria, tha se zoti Valizadeh është një qytetar amerikan i cili është akuzuar, gjykuar dhe dënuar padrejtësisht.

“Regjimi iranian vazhdimisht është përpjekur ta shtrijë ndikimin e tij keqdashës në mbarë botën, duke shkelur të drejtat e njeriut në çdo rast. Është e qartë se ky regjim ndihet i kërcënuar nga forcat e lirisë, përfshirë edhe gazetarinë e pavarur. Kjo është arsyeja pse misioni i Radios Farda për të ofruar lajme të pacensuruara dhe programe të tjera për popullin iranian është më i rëndësishëm se kurrë. Gazetaria nuk është krim. Gazetari Reza duhet të lirohet menjëherë dhe të bashkohet me familjen e tij”, tha ai.

Zyrtarët iranianë nuk kanë bërë komente publike në lidhje me rastin e gazetarit Valizadeh, përveç njoftimeve të mediave se ai ishte arrestuar dhe zotimit për të marrë në shqyrtim çështjen.

Në një mesazh të veçantë për Zërin e Amerikës, avokati Aghasi tha se nuk ka pasur asnjë referencë për gazetarin Valizadeh në mediat shtetërore iraniane.

Zyra e Iranit në selinë e OKB-së në Nju Jork nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese të Zërit të Amerikës për koment mbi dënimin nga Shtetet e Bashkuara të burgosjes së gazetarit Valizadeh.

Në një intervistë në gusht me agjencinë shtetërore të lajmeve ISNA, presidenti iranian Masoud Pezeshkian tha se iranianët që jetojnë jashtë nuk duhet të kenë frikë nga kthimi në vend dhe u zotua se nëse e bëjnë këtë, "ne nuk do të ngrejmë akuza ndaj tyre, nuk do t'i ngacmojmë ata dhe nuk do t’i pengojmë nëse duan të largohen.”

Në intervistën për Zërin e Amerikës, avokati Aghasi tha se gazetari Valizadeh kishte marrë garanci të ngjashme nga agjencitë iraniane të sigurisë përpara se të udhëtonte në Iran. Por ai tha se pasi zoti Valizadeh hyri në vend, agjentët iranianë të sigurisë e morën rregullisht në pyetje atë për gjashtë muaj dhe më pas e arrestuan atë.

Avokati Aghasi tha se autoritetet iraniane e kanë mbajtur zotin Valizadeh në një repart special të burgut, ndonëse sipas rregullit ai duhej transferuar në repartin e përgjithshëm pas përfundimit të hetimeve paraprake. Ai tha se mbajtja e tij në repartin e sigurisë dhe refuzimi i autoriteteve për ta lejuar atë të takonte klientin e tij përbënin kufizime të paligjshme të të drejtave të klientit të tij.

“Qeveria iraniane ka kufizuar vazhdimisht lirinë e shtypit përmes kërcënimeve, frikësimeve, ndalimeve, rrëfimeve të detyruara dhe përdorimit të dhunës kundër gazetarëve në Iran”, tha për Zërin e Amerikës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Zëdhënësi tha se Departamenti i Shtetit u kujton qytetarëve amerikanë një paralajmërim në faqen e internetit ‘travel.state.gov’, në të cilin thuhet: “Mos udhëtoni në Iran, për shkak të rrezikut të rrëmbimit, arrestimit dhe ndalimit arbitrar të qytetarëve amerikanë”.

Avokati Aghasi paralajmëroi iranianët, që kanë punuar me mediat perëndimore, se gabohen nëse mendojnë se me një pendim të thjeshtë para autoriteteve iraniane ata mund t’i shpëtojnë burgut nëse kthehen në Iran.

“Të gjithë duhet ta dinë se për gjyqësorin iranian, njerëzit që bashkëpunojnë me mediat opozitare iraniane me bazë jashtë shtetit kanë kryer një krim që nuk mund të zbutet në asnjë mënyrë”, tha zoti Aghasi për shërbimin në gjuhën farsi të Zërit të Amerikës.