Kosova nënshkruan marrëveshje me një prodhues turk për themelimin e fabrikës së municioneve

  • VOA

Qeveria e Kosovës nënshkroi të hënën një marrëveshje me prodhuesin shtetëror turk të industrisë së mbrojtjes, “Makine ve Kimya Endüstrisi”, për themelimin e një fabrike municionesh në Kosovë, në kuadër të përpjekjeve për atë që qeveria e ka cilësuar nevojë për një industri të vetë-qëndrueshme të mbrojtjes

Në një njoftim të zyrës së Kryeministrit Albin Kurti, thuhet se fabrika do të prodhojë “kalibra të ndryshëm të municioneve sipas standardeve të NATO-s”.

“Krahas makinerisë prodhuese, në kontratën e nënshkruar sot, parashihet edhe trajnimi i stafit, mirëmbajtja për një kohë të caktuar, dhe pajisja me sisteme për testim të cilësisë dhe kalibrim”, citohet të ketë thënë kryeministri Kurti, por pa dhënë hollësi të tjera.

Me 27 nëntor Kryeministri Kurti tha se Kosova planifikon të ndërtojë fabrikën e saj të municionit dhe laboratorin e projektimit të dronëve, për të mbështetur industrinë e mbrojtjes së vendit.

Kryeministri Kurti ka theksuar shpesh se Kosova duhet të jetë e gatshme të përballet me çdo kërcënim nga Serbia fqinje, e cila e kundërshton pavarësinë e Kosovës, që u shpall në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian.

"Ne kemi bërë ushtrime bashkë me ushtrinë e Turqisë, kemi blerë pajisje, municione dhe armatime që prodhon Turqia, e tash është koha që edhe të prodhojmë bashkë në vendin tonë", tha Kryeministri Kurti në takimin me delegacionin nga MKE.

Qeveria e tij e ka rritur buxhetin e mbrojtjes dhe në korrik të vitit 2023, Kosova bleu një numër dronësh Bayraktar të prodhimit turk.

Në fillim të këtij viti, Shtetet e Bashkuara miratuan shitjen e raketave antitank Javelin në Kosovë me vlerë prej rreth 75 milionë dollarësh.

Autoritetet në Prishtinë thanë se projekti për themelimin e fabrikës së municioneve nuk ndërhynë në planin e tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila është themeluar në janar të vitit 2009, ndërsa në dhjetor të vitit 2018, Parlamenti i Kosovës miratoi shndërrimin e saj në ushtri të Kosovës.

Lexoni edhe këtë Kosova synon hapjen e një fabrike për prodhimin e municioneve

Kjo ushtri, krijimi i zë cilës do të zgjasë deri më 2028, thonë autoritetet, nuk do të zëvendësojë forcat e NATO-s, që vazhdojnë të kenë mbi 4 mijë trupa paqeruajtëse në Kosovë.