Kancelari Scholz humb votëbesimin; Gjermania drejt zgjedhjeve të parakohshme

Kancelari Scholz gjatë votimit të mocionit në parlamentin gjerman

Kancelari Olaf Scholz humbi votë-besimin në parlamentin gjerman të hënën, duke e çuar shtetin me popullsinë më të madhe dhe ekonominë më të madhe të Bashkimit Evropian drejt zgjedhjeve të parakohshme në muajin shkurt.

Kancelarin Schulz e mbështetën vetëm 207 nga 733 ligjvënësit e dhomës së ulët të Bundestagut, ndërsa kundër votuan 394 ligjvënës dhe abstenuan 116 të tjerë. Për t’i mbijetuar një votë-besimi, kancelari gjerman duhet të kishte marrë të paktën 367 vota.

Kancelari Scholz humbi shumicën në parlament, pasi koalicioni i tij jopopullor u shpërbë në 6 nëntor, pasi ai shkarkoi ministrin e financave për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi buxhetin. Udhëheqësit e disa partive kryesore ranë dakord më pas që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 23 shkurt, shtatë muaj më herët se ç’ishte planifikuar fillimisht.

Mocioni i sotëm i ishte i nevojshëm pasi kushtetuta gjermane e hartuar pas Luftës së Dytë Botërore nuk ia lejon Bundestagut të vetëshpërndahet. Tashmë duhet të vendosë Presidenti Frank-Walter Steinmeier nëse duhet të shpërndahet parlamenti dhe të mbahen zgjedhjet e reja.

Presidenti Steinmeier ka 21 ditë afat për të vendosur dhe pritet sidoqoftë që ta marrë vendimin përpara Krishtlindjes. Zgjedhjet duhet të mbahen brenda 60 ditëve pas shpërndarjes së parlamentit.

Në praktikë, fushata elektorale ka filluar tashmë dhe debatet e së hënës që zgjatën tre orë e reflektuan këtë fakt.

Çfarë thonë palët politike?

Zoti Scholz, social-demokrat i qendrës së majtë, u tha ligjvënësve se zgjedhjet do të përcaktojnë nëse “ne, si një vend i fortë, do të guxojmë të investojmë në të ardhmen tonë; a kemi besim tek vetja dhe vendi ynë, apo vëmë në rrezik të ardhmen tonë? A vendosim në rrezik kohezionin dhe begatinë tonë duke vonuar investime që duhet të ishin bërë prej kohësh?”.

Apeli i zotit Schulz për votuesit përfshin premtimin për “të modernizuar” rregullat e rrepta, të vetë-imponuara të Gjermanisë për borxhin kombëtar, për rritjen e pagës minimale dhe për uljen e taksës mbi ushqimet.

Rivali nga qendra e djathtë, Friedrich Merz u përgjigj se “po e lini vendin në një nga krizat më të mëdha ekonomike në historinë e pasluftës”.

“Qëndron këtu dhe flet sikur gjithçka të ishte në rregull, se duhet të rrisim borxhin në kurriz të brezit të ardhshëm, le të harxhojmë paratë dhe fjala ‘konkurencë’ e ekonomisë gjermane nuk figuroi as edhe një herë gjatë fjalimit që mbajte sot”, tha zoti Merz.

Kancelari tha se Gjermania është vendi evropian që furnizon me më shumë armatime Ukrainën dhe se ai dëshiron që kjo të vazhdojë, por nënvizoi këmbënguljen e tij për të mos dërguar raketa me vetëdrejtim Taurus, që kanë rreze të gjatë veprimi, për shkak të shqetësimeve për një përshkallëzim të luftës me Rusinë, apo një dërgim të mundshëm të forcave gjermane në konflikt. “Nuk do të bëjmë asgjë që rrezikon sigurinë tonë”, tha ai.

Zoti Merz, i cili ka qenë i hapur ndaj mundësisë së dërgimit të raketave me rreze të gjatë veprimi, tha se “nuk na nevojiten leksione për luftën dhe paqen” nga partia e zotit Scholz. Ai tha, megjithatë, se rivalët politikë në Berlin janë të bashkuar në një "vullnet absolut për të bërë gjithçka në mënyrë që kjo luftë në Ukrainë të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur".

Cilat janë shanset e tyre?

Anketimet tregojnë se partia e Kancelarit Scholz mbetet shumë pas bllokut kryesor opozitar të zotit Merz, i quajtur Union, i cili kryeson. Zëvendëskancelari Robert Habeck i ambientalistëve të Partisë së Gjelbër, partneri i mbetur në qeverinë e zotit Scholz, po bën gjithashtu ofertë për postin e lartë – megjithëse partia e tij është më mbrapa.

Alternativa e ekstremit të djathtë për Gjermaninë, e cila ka nivel të fortë mbështetjeje në anketime, ka emëruar zonjën Alice Weidel si kandidate të saj për kancelare, por nuk ekziston ndonjë shans për ta marrë këtë detyrë, sepse partitë e tjera refuzojnë të punojnë me të.

Sistemi zgjedhor i Gjermanisë prodhon tradicionalisht koalicione dhe anketimet tregojnë se asnjë parti nuk është afër shumicës absolute. Zgjedhjet pritet të pasohen nga javë të tëra negociatash për të formuar një qeveri të re.

Mocionet e besimit janë të rralla në Gjermani, një vend me 83 milionë banorë që vlerëson stabilitetin. Kjo ishte vetëm hera e gjashtë në historinë e saj të pasluftës që një kancelar bën vetë thirrje për një mocion të tillë.

Hera e fundit ishte në vitin 2005, kur kancelari i atëhershëm Gerhard Schröder mundësoi zgjedhje të parakohshme, që u fituan ngushtë nga sfiduesja e qendrës së djathtë, Angela Merkel.