Tiranë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mbyll veprimtarinë pas 7 vjet pune rivlerësimi të gjyqtarëve dhe prokurorëve

Tubimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit

Në Shqipëri reformimi i thellë i sistemit të drejtësisë në legjislacion u pasua nga procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, prej nga humbën vendin e punës afro 270 prej tyre. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mbylli mandatin në nëntor, ndërsa drejtuesi i tij, Roland Ilia, tha sot se pas 7 vjet veprimtari të KPK-së, pjesa dërrmuese e vendimeve të tij mbetën në fuqi. Diplomatë amerikanë dhe europianë pohuan gjatë një tubimi pas procesit 7 vjeçar të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve se drejtësia shqiptare po rifiton besimit e publikut, falë magjistratëve profesionistë, të pakorruptuar dhe me integritet të lartë.

Your browser doesn’t support HTML5

Tiranë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mbyll veprimtarinë pas 7 vitesh

Pas një procesi rivlerësimi sa të imët aq edhe unik mbi pasurinë, profesionalizmin dhe integritetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mbylli veprimtarinë në nëntor me mbi 800 vendime pro dhe kundër vazhdimit të punës për ta.

Kryetari i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit Roland Ilia tha gjatë një tubimi në fund të këtij procesi 7 vjeçar se rivlerësimi i magjistratëve gjyqtarë e prokurorë ishte i domosdoshëm për reformimin e thellë të sistemit gjyqësor, dhe se afro 90 për qind e vendimeve të tij kanë mbetur të pandryshuara.

“Nga shkurti 2018 deri në nëntor 2024 u verifikuan 805 subjekte, nga të cilat 373 vendime u dhanë për konfimim në detyrë, 268 vendime u dhanë për shkarkim nga detyra, 105 vendime për ndërprerje procesi, 8 vendime për pushim procesi, 49 vendime për përfundmin e procesit pa një vendim dhe dy vendime për pezullim nga detyra”, tha zoti Ilia.

Diplomatët amerikanë shprehën sërish mbështetjen e plotë të SHBA-ve ndaj institucioneve të reja të drejtësisë në Shqipëri.

E Ngarkuara me Punë në Ambasadën e SHBA-ve në Shqipëri, Nancy VanHorn, tha se drejtësia sot në Shqipëri ëshë shumë më mirë se në vitin 2016, kur 25 për qind e gjyqtarëve 25% pranonin se kishte korrupsion në gjykatën e tyre, ndërsa 57 për qind e tyre pranonin se kishte ndërhyrje politike, ndaj rishikimi i gjithë cilësive të gjyqtarëve dhe prokurorëve nevojitej për të ringritur besimin e publikut, një punë aspak e lehtë, që ndeshi në shumë qëndresë.

“Qytetarët në Shqipëri duhet ta dinë që zyrtarët shqiptarë janë përballë llogaridhënies çdo ditë dhe kjo punë do të vazhdojë falë punës së shqiptarëve të guximshëm si gjyqtarët e prokurorët dhe për rezultatet e tyre qytetarët shqiptarë duhet të krenohen”, tha zonja VanHorn.

Ajo shtoi se SPAK-u po lufton korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe po dërgon figurat e korruptuara politike në gjykatë, dhe secili në sistemin gjyqësor po plotëson dhe nevojitet të përmbushë detyrat me integritet, gjatë trajtimit të rasteve të korrupsionit, për t’i dhënë fund shfrytëzimit të pozitave dhe favoritizmit, dhe shumë punë mbetet për t’u bërë prej tyre.

Procesi i rivlerësimit u mbështet edhe nga mbi 6 mijë e 600 denoncimeve të qytetarëve, që po rifitojnë besimin tek drejtësia.

Drejtuesi i SPAK-ut, Altin Dumani, tha se “pandëshkueshmëria po tronditet sot”, ndërsa sfidat e përditshme nuk i kanë trembur punonjësit e Prokurorisë së Posaçme.

“Reforma në drejtësi ishte transformuese, duke përshkuar një prej proceseve më gjithëpërfshirës të vlerësimit me të vetmin qëllim për t’i sjellë qytetarëve shqiptarë një sistem drejtësie profesional, të drejtë, me integritet, transparent dhe mbi gjithçka, t’u kthejë atyre besimin tek institucionet e reja të drejtësisë”, tha zoti Dumani.

BE-ja po ashtu shprehu mbështetje të plotë për reformën në drejtësi dhe rezultatet e saj, si pjesë e integrimit të Shqipërisë BE. Drejtuesi i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, ambasadori Silvio Gonzato, tha se rindërtimi i besimit të publikut tek institucionet gjyqësore është një rezultat me rëndësi në këtë proces.

“Nuk e zmadhoj aspak kur them se ajo çfarë ju keni bërë me reformimin e drejtësisë në Shqipëri ka kontribuar në hapjen e negociatave në grup kapitujve të parë me BE-në, krahas aktorëve të tjerë natyrisht”, tha ambasadori Gonzato.

Kompetencat e KPK-së tani e tutje i kalojnë SPAK-ut, ndërsa rivlerësimi në Komisionin e Pavarur të Apelimit vijon deri në vitin 2026. Në KPA u paraqitën mbi 400 ankime ndaj vendimeve të KPK-së, dhe prej tyre rreth 120 ankime janë në pritje të shqyrtimit.