Analistët: Partitë pro-serbe në qeverinë e Malit të Zi rrezikojnë integrimin në BE

  • Ali Salaj

Analistët vlerësojnë se partitë pro-serbe dhe pro-ruse në Qeveri po punojnë në vazhdimësi në minimin e shtetit të Malit të Zi dhe në ngadalësimin në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Your browser doesn’t support HTML5

Analistët: Partitë pro-serbe në qeverinë e Malit të Zi rrezikojnë integrimin në BE

Analisti dhe njohësi i mirë i zhvillimeve politike në Malin e Zi, Nail Draga tha se partitë pro-serbe që janë pjesë e pushtetit kanë për qëllim imponimin e vlerave pro-ruse dhe anti evropiane.

“Shumica aktuale parlamentare në Mal të Zi ka një qasje pro-serbe dhe pro-ruse. Kjo nuk paraqet befasi duke marrë parasysh se kishin këto qëndrime edhe më herët kur ishin në opozitë, por duke marrë parasysh rrethanat gjeopolitike aktuale në rajon është e mirëpritur që të kenë qasje pro-evropiane. Megjithatë shihet se kjo shumicë është e kamufluar dhe varësisht prej momenteve deklarohen sikur janë për kursin evropian, por në thelb ata mbështesin politikën pro-serbe dhe pro-ruse”, tha zoti Draga.

Ndërkaq, ky qëndrim sipas analistit dhe ish-kryeredaktorit të disa mediave malazeze, Xhevdet Pepiq është pasojë e strukturave politike që më shumë kujdesen për qëllime nacionaliste se sa për ato shtetërore.

“Në qeveri faktikisht kemi edhe parti që janë në shërbim të Rusisë dhe të Beogradit nga ku marrin instruksione se si të veprojnë në dëm të Malit të Zi duke ngjallur nacionalizmin dhe ndarjen e ashpër etnike në shoqërinë malazeze,” tha zoti Pepiq.

Zoti Draga tha se prishja e marrëdhënieve me shtetet fqinje, e posaçërisht me Kroacinë mund të ndikojë në mosmbylljen e kapitujve të domosdoshme për integrimin në Bashkimin Evropian.

“Në lidhje me raportet me fqinjët për momentin fqinji kryesor është Kroacia për shkak se është pjesë e BE-së dhe varësisht prej mbështetjes dhe qasjes së Kroacisë ndaj politikës së Malit të Zi do të vendoset mbyllja e kapitujve. Momentalisht thuhet se do të jetë një çështje shumë kritike për Malin e Zi nëse nuk do të mbështeten kapitujtë përkatës”, tha zoti Draga.

Pepiq thekson se qëllimi i këtyre partive është imponimi i vlerave identitare dhe nacionaliste për të shkaktuar ndarje të thella jo vetëm brenda vendit, por edhe në marrëdhëniet me vendet e rajonit.

“Këto marrëdhënie me shtetet e rajonit janë në nivele të politikës së ditës dhe Qeveria e Malit të Zi nuk ka një vizion shtetëror ,gjë që paraqet një problem të theksuar për shoqërinë në vend”, tha zoti Pepiq.

Këto veprime, që sipas analistëve, sakrifikojnë në vazhdimësi interesat kombëtare për hir të qëllimeve politike rajonale, kanë për qëllim destabilizimin e Malit të Zi në perudha afatgjate, duke e bërë atë të varur nga interesat e Beogradit dhe Moskës.