Parlamenti koreano-jugor voton pro shkarkimit të Presidetit Yoon

Parlamenti i Koresë së Jugut votoi të shtunën pro shkarkimit të Presidentit Yoon Suk Yeol lidhur me dekretin e befasishëm dhe jetëshkurtër për të vendosur gjendjen e jashtëzakonshme. Çështja tani i kalon Gjykatës Kushtetuese e cila ka një afat prej 180 ditësh për të vendosur nëse do ta shkarkojë zotin Yoon nga posti i presidentit apo do t'ia rikthejë kompetencat.

12 ligjvënës konservatorë bashkuan votat me opozitën për ta shpallur fajtor zotin Yoon, në mes të mandatit të tij pesëvjeçar.

Kompetencat dhe detyrat presidenciale të zotit Yoon u pezulluan më pas dhe kryeministri Han Duck-soo, zyrtari numër 2 i vendit, mori kompetencat presidenciale.

Disa minuta para votimit, Partia për Pushtetin Popullor në pushtet e zotit Yoon shprehu kundërshtimin e saj ndaj shkarkimit, por i lejoi anëtarët të votonin lirshëm, ndryshe nga përpjekja e bojkotuar e javës së kaluar. Vendimi, i kombinuar me votimin e fshehtë, përfundimisht e ktheu peshoren kundër zotit Yoon.

Kuvendi Kombëtar miratoi mocionin për shkarkimin e tij me 204 vota pro dhe 85 kundër.

Votimi shënoi fundin e një paralize politike disaditore, por hapi një debat intensiv mbi fatin e zotit Yoon, ndërsa turmat entuziaste dolën në rrugë.

“Qytetarë të botës, ju lutemi shihni dhe mësoni. Kështu e shpëtojmë demokracinë tonë," tha Lee Sang-sin, një bashkëpunëtor në Institutin Korean për Bashkimin Kombëtar.

Zoti Yoon shpalli gjendjen e jashtëzakonshme duke vënë në fuqi ligjin ushtarak më 3 dhjetor - dekreti i parë i tillë që kur Koreja e Jugut u bë demokraci në vitet 1980 - por ligjvënësit e rrëzuan urdhrin brenda disa orësh.

Në një fjalim pas votimit për shkarkimin e tij, zoti Yoon vazhdoi të mbante një qëndrim sfidues, duke këmbëngulur se shkarkimi i tij ishte vetëm një ndërprerje e përkohëshme e presidencës së tij.

"Edhe pse po ndalem tani për tani, rruga që kam ndjekur në krah të popullit gjatë 2 vjetëve e gjysmë drejt së ardhmes nuk duhet të ndalet kurrë. Unë kurrë nuk do të dorëzohem," tha zoti Yoon.

Presidenti konservator e ka mbrojtur veprimin e tij si ligjërisht të justifikueshëm, duke e cilësuar atë të nevojshëm për të dërguar një "mesazh të fortë" për ligjvënësit e opozitës, të cilët ai i akuzoi si simpatizues të Koresë së Veriut që pengonin axhendën e tij.

Ai gjithashtu u bëri jehonë pretendimeve të së djathtës ekstreme, duke sugjeruar se zgjedhjet legjislative të prillit ishin të falsifikuara.

Gjykata Kushtetuese ka 180 ditë afat për të vendosur për shkarkimin e zotit Yoon, por procesi është i mbushur me një pasiguri të pazakontë. Normalisht, gjashtë nga nëntë anëtarët e gjykatës duhet të votojnë pro shkarkimit në mënyrë që ai të hyjë në fuqi. Por tre nga vendet e gjykatës janë vakante që nga tetori, çka do të thotë se të gjashtë gjyqtarët e mbetur duhet të bien dakord që zoti Yoon të hiqet nga detyra.

Daniel Pinkston, një profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare i Universitetit Troy i vendosur në Seul, beson se gjasat janë që gjykata ta mbështesë shkarkimin.

“Më duket e qartë se ai ka shkelur nenin 77 të kushtetutës, i cili parashikon që presidenti të njoftojë Asamblenë Kombëtare ‘pa vonesë’ se është shpallur ligji ushtarak”, tha Prof. Pinkston.

"Yoon nuk e bëri këtë. Për më tepër, ka dëshmi nga policia dhe ushtria që Yoon i urdhëroi ata të pengonin anëtarët e Asamblesë Kombëtare që të mblidheshin në godinë," shtoi ai.

Nëse gjykata miraton shkarkimin, Koreja e Jugut duhet të mbajë zgjedhje presidenciale brenda 60 ditëve. Nëse gjykata e hedh poshtë vendimin e Asamblesë, ai do të kthehej në detyrë, por mund të përballet me akuza në lidhje me përpjekjen për vendosjen e ligjit ushtarak.

Zoti Yoon është nën hetim për tradhti, me tre hetime të veçanta qeveritare në proces. Zyra e tij është bastisur disa herë dhe atij i ndalohet të largohet nga vendi. Prokurorët nuk e kanë përjashtuar mundësinë e arrestimit të tij.

Presidentët e Koresë së Jugut janë të imunizuar nga ndjekja penale ndërsa janë në detyrë, përveç rasteve të rebelimin ose tradhtisë.

Zoti Han, kryeministri dhe presidenti i përkohshëm, është gjithashtu në një pozitë të pasigurt politike. Opozita thotë se mund të ndërmarrë një votë për shkarkimin e tij për rolin e tij të dyshuar në përpjekjet për ligjin ushtarak. Zoti Han, i cili ka thënë se "në mënyrë të vazhdueshme" ka kundërshtuar përpjekjet e zotit Yoon, është zotuar të bashkëpunojnë me hetimet.