BE-Shqipëri, javën e ardhshme hapen bisedimet dhe për grupkapitujt e dytë

  • VOA

Dy muaj pas hapjes së grupkapitujve të parë të bisedimeve për anëtarësim me Bashkimin Europian, Shqipëria pritet të nisë bisedimet dhe për grupkapitujt e dytë. Ishte presidenca hungareze e BE-së e cila njoftoi mbrëmjen e së premtes se “ambasadorët kanë miratuar qëndrimin e përbashkët të BE-së për grupin 6: Marrëdhëniet me jashtë, duke lejuar që konferenca e tretë ndërqeveritare me Shqipërinë të mbahet më 17 dhjetor”. Njoftimi i bërë përmes një postimi në rrjetin “X”, vë në dukje se “Konferenca ndërqeveritare e javës së ardhshme do të jetë e dyta gjatë presidencës hungareze, duke i bërë jehonë angazhimit të BE-së për të përshpejtuar procesin e pranimit, me vendet kandidate”.

Shqipëria nisi bisedimet konkrete të anëtarësimit me Bashkimin Europian, për grupkapitujt e parë, më 15 tetor. I quajtur "Themelorët", ky grupkapitujsh, është dhe më kryesori. Ai hapet i pari dhe mbyllet i fundit, duke qenë se prekin tema me peshë që nga gjyqësori dhe të Drejtat themelore, te Drejtësia e Siguria, Prokurimet publike, Statistikat dhe Kontrolli financiar.

Grupkapitujt që priten të hapen javën e ardhshme përfshijnë Marrëdhëniet me jashtë (kapitulli 30) dhe Politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes (kapitulli 31). Ministri i Jashtëm hungarez Péter Szijjártó, e kishte paralajmëruar diçka të tillë që në muajin tetor, duke vlerësuar madje se “është e qartë që praktikisht, pragmatikisht, po ta shohësh këtë çështje, Shqipëria është gati”.

Shqipëria mori nga Komisioni Evropian rekomandimin për hapjen e bisedimeve në vitin 2018 ndërsa nga Këshilli Evropian në mars të vitit 2020. U deshën dy vite të tjera që mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian të mbahej, konferenca e parë ndërqeveritare. Dhe vetëm në tetor, pas edhe dy vitesh të tjera, vendi hyri realisht në procesin e anëtarësimit, me nisjen e bisedimeve për grupkapitujt e parë.

Qeveria shqiptare ka shprehur publikisht ambicien për anëtarësim të vendit deri në vitin 2030, dhe mbylljen e procesit të bisedimeve brenda tre viteve të ardhshme, siç nuk ka ndodhur deri më tani me asnjë vend tjetër më parë.