Parlamenti i Moldavisë votoi të premten në favor të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, në sektorin e energjisë. Vendimi u mor nga shqetësimi se Rusia mund ta lërë Moldavinë këtë dimër pa furnizime të mjaftueshme me gaz. Moldavia është vend kandidat për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian.
Shumica në parlamentin me 101vende të Moldavisë votoi për miratimin e gjendjes së jashtëzakonshme, e cila do të fillojë më 16 dhjetor dhe do të zgjasë për 60 ditë. Një komision i posaçëm do të miratojë urgjentisht masa për të menaxhuar “rreziqet më të afërta” nëse Moska nuk furnizon me gaz termocentralin Kuciurgan, më i madhi i vendit, i cili ndodhet në rajonin separatist pro-rus të Transnistrias.
Kryeministri moldav Dorin Recean tha se vendi i tij përballet me një “situatë të jashtëzakonshme” në të cilën Moska mund të shfrytëzojë furnizimin me gaz për të destabilizuar vendin dhe potencialisht t'i lërë njerëzit “në mes të dimrit pa ngrohje dhe pa energji elektrike”.
Firma ruse Gazprom e furnizon centralin Kuciurgan me gaz, i cili prodhon energji elektrike që furnizon një pjesë të madhe të Moldavisë. Fabrika u privatizua në vitin 2004 nga zyrtarët e Transnistrias dhe më vonë iu shit një kompanie shtetërore ruse. Moldavia nuk e njeh këtë privatizim.
Në fund të vitit 2022, Moldavia pësoi ndërprerje të mëdha të energjisë elektrike pas sulmeve ruse në Ukrainën fqinje, e cila është e ndërlidhur me termocentralin Kuciurgan.
“Ky duhet të jetë dimri i fundit në historinë e vendit në të cilin ne ende mund të kërcënohemi me energji”, tha Kryeministri Recean. “Është e qartë se këto kriza janë provokuar qëllimisht dhe qëllimi i tyre është të krijojnë panik dhe kaos”.
Ai shtoi se një ndërprerje e furnizimit me gaz mund të shkaktojë kriza ekonomike dhe humanitare, por u zotua se askush në Moldavi nuk do të lihet “në të ftohtë dhe në errësirë”.
Transnistria, e cila u shkëput pas një lufte të shkurtër në vitin 1992 dhe nuk njihet nga shumica e vendeve, shpalli gjithashtu gjendjen e saj të jashtëzakonshme këtë javë, në rast se rajoni nuk do të furnizohet me gaz.
Kur Rusia filloi sulmin e saj në Ukrainë, në vitin 2022, Moldavia, ish republika sovjetike që ka rreth 2.5 milionë banorë, ishte tërësisht e varur nga Moska për gaz, por që atëherë ka bërë përpjekje për të shtuar burimet e saj të energjisë.
Sebastian Burduja, ministri rumun i energjisë, tha të enjten vonë se Rumania ka mundësi ta ndihmojë Moldavinë “nëse e kërkon situata”, duke thënë se ky do të ishte “një obligim ... përballë agresioneve që vijnë nga lindja”.
Në tetor, Presidentja pro-perëndimore e Moldavisë Maia Sandu fitoi një mandat të dytë. Gjatë një referendumi që u mbajt krahas zgjedhjeve, moldavët votuan në favor të vazhdimit të integrimit në bllokun evropian. Të dy votimet u karakterizuan nga pretendimet për ndërhyrje nga Rusia për të penguar zhvendosjen e vendit drejt perëndimit. Rusia mohon se po ndërhyn në Moldavi.