Rebelët lirojnë një amerikan të burgosur për shtatë muaj në Siri

Travis Timmerman

Një amerikan u shfaq në Siri të enjten, duke thënë se ai u burgos për shtatë muaj pasi hyri ilegalisht në vend nga Libani ndërsa ishte në një pelegrinazh të krishterë.

Travis Timmerman, 29 vjeç, ishte në mesin e mijëra njerëzve të liruar nga burgjet famëkeqe të Sirisë fundjavën e kaluar, ndërsa rebelët morën kontrollin e Damaskut dhe rrëzuan regjimin e Bashar al-Assad, duke i dhënë fund sundimit 54-vjeçar të familjes së tij.

Timmerman fillimisht u ngatërrua nga disa njerëz me gazetarin amerikan Austin Tice, i cili u zhduk në Siri 12 vjet më parë dhe ende nuk është gjetur.

Në një video, Timmerman u pa i shtrirë në një dyshek nën një batanije në atë që dukej të ishte një shtëpi private. Një grup burrash në video thanë se ai po trajtohej mirë dhe se do të kthehej i sigurt në shtëpi. Nuk ishte menjëherë e qartë se ku ishte mbajtur amerikani Timmerman.

Zyrtarët amerikanë thanë se po punonin për të konfirmuar identitetin e zotit Timmerman dhe për t'i ofruar atij mbështetje. Sekretari i Shtetit Antony Blinken u tha gazetarëve në Jordani se Shtëpia e Bardhë "po punonte për ta sjellë atë në shtëpi, për ta nxjerrë nga Siria", por nuk pranoi të bënte komente të tjera për arsye të privatësisë.

"Nuk mund t'ju jap asnjë detaj se çfarë do të ndodhë saktësisht", tha ai.

Në një intervistë të mëvonshme me rrjetin televiziv Al-Arabiya, zoti Timmerman tha se ai kishte kaluar ilegalisht në Siri në këmbë nga qyteti lindor libanez i Zahles përpara se të arrestohej dhe të mbahej vetëm në një qeli.

Timmerman tha se ai ishte trajtuar mirë, por mund të dëgjonte të rinjtë e tjerë duke u torturuar.

"Ishte në rregull. Më dhanë ushqim dhe ujë. Vështirësia e vetme ishte se nuk mund të shkoja në banjë kur të doja", tha ai. Timmerman tha se ai lejohej të shkonte në banjë vetëm tre herë në ditë.

“Nuk jam rrahur dhe rojet më kanë trajtuar mirë”, shtoi ai.

Negociatori kryesor i qeverisë amerikane për pengjet, Roger Carstens, udhëtoi për në Liban në fillim të kësaj jave me shpresën për të mbledhur informacion mbi vendndodhjen e gazetarit Austin Tice.

Presidenti Joe Biden ka thënë se zyrtarët amerikanë besojnë se gazetari Tice është gjallë dhe janë të përkushtuar ta sjellin atë në shtëpi, megjithëse ai gjithashtu pranoi të dielën se "ne nuk kemi prova të drejtpërdrejta" të gjendjes së tij. Rasti i gazetarit Austin Tice ka zemëruar zyrtarët e inteligjencës amerikane për vite me radhë.

Të enjten, Sekretari Blinken theksoi punën e administratës Biden lidhur me rastin e gazetarit Tice.

"Çdo ditë ne po punojmë për ta gjetur dhe për ta sjellë në shtëpi", tha Blinken. "Kjo është një përparësi për Shtetet e Bashkuara."

Austin Tice u zhduk në një pikë kontrolli në një zonë të kontestuar në perëndim të Damaskut në gusht 2012 ndërsa lufta civile siriane u intensifikua.

Një video e publikuar disa javë pasi gazetari Tice u zhduk, e tregoi atë me sy të lidhur dhe të mbajtur nga njerëz të armatosur. Që atëherë nuk është dëgjuar më. Qeveria e Asadit mohoi njoftimet për mbajtjen e tij.