Kapitol, Blinken mbron tërheqjen nga Afganistani në vitin 2021

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u tha ligjvënësve mbrëmë (të mërkurën në mbrëmje) se administrata e Presidentit Biden ishte vënë në një pozitë tejët të vështirë përpara tërheqjes së trupave amerikane nga Afganistani në gusht të vitit 2021. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës në Kongres Katherine Gypson, zoti Blinken tha se Presidenti Joe Biden trashëgoi një afat për tërheqjen nga ish-presidenti Donald Trump, pa një plan për ta realizuar atë. Republikanët në Komisionin për Marrëdhëniet meJashtë të Dhomës së Përfaqësuesve prej vitesh kanë kërkuar përgjigje për tërheqjen katastrofike nga Afganistani.

Your browser doesn’t support HTML5

Kapitol, Blinken mbron tërheqjen nga Afganistani në vitin 2021


Ministri taleban për refugjatët, Khalil Ur-Rahman Haqqani, u vra gjatë një sulmi vetëvrasës të mërkurën në Afganistan.

Ky është një nga sulmet më të rënda ndaj një udhëheqësi të talebanëve që kur grupi u kthye në pushtet në gusht të vitit 2021.

Tërheqja katastrofike e trupave amerikane nga Afganistani u mundësoi talibanëve të ktheheshin në pushtet. Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve kanë qenë shumë kritikë ndaj administratës së Presidentit Biden për tërheqjen.

“Ju kishit mundësi të shumta të hartonit një plan për rënien e pashmangshme të Afganistanit. Në vend të kësaj, edhe me këmbanat e alarmit që dëgjoheshin qartë, ju mohuat kërcënimet e pashmangshme dhe të rrezikshme për interesat amerikane, qytetarët amerikanë dhe partnerët tanë afganë”, tha Michael McCaul, udhëheqës i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken doli para këtij Komisioni të mërkurën. Ai tha se Presidenti Joe Biden trashëgoi një afat për tërheqje nga ish-presidenti Donald Trump, pa një plan për ta realizuar atë.

“Nëse Presidenti Biden nuk do të zbatonte zotimin e paraardhësit të tij, sulmet e talibanëve ndaj forcave tona, aleatëve tanë dhe ndaj qyteteve kryesore do të kishin rifilluar. Kjo do të kërkonte dërgimin e dhjetëra mijëra forcave të tjera amerikane përsëri në Afganistan për të mbrojtur veten dhe për të parandaluar marrjen e kontrollit nga talebanët”, tha Sekretari Blinken.

Kryetari i ardhshëm i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Brian Mast, i cili humbi këmbët duke luftuar në Afganistan, tha se Departamenti i Shtetit nuk është mbajtur përgjegjës për tërheqjen.

“Departamenti është absolutisht jo funksional siç shihet nga përpjekjet për të mbuluar faktin që 26 diplomatë të administratës suaj ju thanë se do të ishte katastrofë nëse vazhdohej në atë rrugë. Duhet të flasim për këtë”, tha ligjvënësi republikan Mast.

Por demokrati kryesor në Komision tha se republikanët nuk kishin ndërmarrë asnjë përpjekje për të parandaluar që këto probleme të përsëriteshin.

“I ashtuquajturi hetim i republikanëve nuk ka qenë gjë tjetër veçse të bërit politikë në vija partiake. Ata nuk mund të pretendojnë se qëllimi i vërtetë i tyre tani është sundimi i ligjit, kur nuk shoh asgjë konkrete. Nga ky hetim nuk kanë hartuar asnjë projekt-ligj”, thotë deputeti Meeks.

Trembëdhjetë ushtarë amerikan dhe 170 civilë afganë vdiqën në sulmin me bombë në ‘Abbey Gate’ në Kabul më 26 gusht të vitit 2021.