Shkup, prokuroria nis hetimet ndaj Artan Grubit dhe Enver Bexhetit, Grubi tërhiqet nga jeta publike

  • Isak Ramadani

Artan Grubi

Prokuroria në Maqedoninë e Veriut bëri të ditur të mërkurën se do të hetojë çështjen e ryshfetit të Artan Grubit dhe Enver Bexhetit, të cilët u përcaktuan nga Departamenti ameirkan i Shtetit për korrupsion dhe u shpallën persona të padëshiruar.

Në mbrëmje ish-zëvendëskryeministri Grubi tha se po tërhiqet nga jeta publike.

Prokurori publik Lupço Kocevski u tha gazetarëve se “ka formuar lëndën lidhur me rastin”.

Ai tha se kishte përdorur autorizimin dhe kompetencat e tij për sigurimin dhe mbledhjen e të dhënave lidhur me dyshimet për ryshfet dhe ushtrimin e ndikimit nga ana zotit Grubi dhe Bexheti pas njoftimit nga Departamenti i Shtetit.

“Do të hetohet se kush është dhënësi i ryshfetit dhe kush marrësi; se a ka ndikim”, tha prokurori duke lënë të kuptohet se procedura kishte nisur që nga dita e djeshme.

Ndërkohë, zoti Grubi ka njoftuar përmes Facebook-ut të mërkurën para mesnate se kishte marrë vendim për t’u tërhequr nga jeta publike. Ai shkruan se Vendim është personal “në shërbim të së mirës së përbashkët”. Ai shton më tej se “sulmet e mëdha ndër vite, keqinterpretimet dhe goditjet e padrejta, më kanë bërë të reflektoj për rolin tim në këtë moment të rëndësishëm për vendin dhe për të ardhmen e tij”.

“Edhe pse vendimi thotë që ky nuk është për të dënuar, por për të nxitur përmirësim të sjelljes, unë, përpara Zotit, familjes dhe miqve jam i pastër si loti, por me synimin për të zbardhur të vërtetën, të cilën shumë prej jush e shoh që tashmë e dini, dhe për të mos qenë barrë politike, kam vendosur që të tërhiqem nga jeta publike dhe për këtë e kam njoftuar kryetarin (Ali) Ahmeti qysh ditën e pare”, thekson zoti Grubi.

Prokuroria maqedonase, përveç hetimeve të ngritura ndaj kryetarit të Strugës, Ramiz Merko i përcaktuar nga Departamenti i Shtetit për korrupsion, nuk ka ngritur hetime ndaj personave të tjerë, të cilët poashtu ndodhen në atë që në opinionin publik të Maqedonisë së Veriut njihet si ‘lsta e zezë’.

Prokurori Kocevski tha se janë zhvilluar procedura edhe për të tjerët por se çështjet kanë mbetur nëpër gjykata.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski kërkoi nga opinioni publik të ketë durim.

“Falënderoj partnerët tanë që na ndihmojnë në procese, por disa çështje duhet t’i çojmë vetë deri në fund. Të mos shpejtojmë me marrjen e vendimeve”, u shpreh ministri i Rendit.

Ish-Zëvendëskryeministri Grubi dyshohet se mori ryshfet nga ish-kreu i Agjencisë për Zbulim dhe Kundërzbulim, Sasho Mijalkov.

Zoti Mijalkov fillimisht u dënua me 12 vjet burg lidhur me skandalin e përgjimeve të telefonave. Ai e dërgoi çështjen e Gjykatën e Apelit ku sipas autoriteteve aktuale qeveritare në Maqedoninë e Veriut, gjykatësi Enver Bexheti e kishte mbajtur për më shumë se nëntë muaj çështjen në sirtarë pa e gjykuar.

Ndërkohë, kreu i Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti tha të mërkurën se partia e respekton vendimin e Departamentit amerikan të Shtetit dhe se zoti Grubi, i cili është anëtar i BDI-së, ka të drejtë të ankimit. “Por nëse konfirmohet përfshirja e tij në ryshfet, atëherë Grubi do të largohet vetë nga partia”, u shpreh zoti Ahmeti.

Këto vitet e fundit Departamenti i Shtetit dhe ai i Thesarit kanë përcaktuar si të pëfshirë në korrupsion të lartë disa personalitete të Maqedonisë së Veriut, si ish-Kryeministri Nikolla Gruevski, ish-kryetarja e Gjykatës Speciale, Katica Janeva, ish-kreu i shërbimit sekret Sasho Mijalkov, ish-Zëvendëskryeministri Koço Angjushev, kryetarët e komunave të Strugës dhe Karposhit në Shkup, Ramiz Merko dhe Stevçe Jakimovski, dhe biznesmenin Orce Kamçev. Por, përveç ish-prokurores Janeva, pothuaj se të gjithë të tjerët kanë mbetur të paprekur.