Shkup, Gjykata Kushtetuese shtyn seancën për Ligjin e Gjuhëve

  • Isak Ramadani

Shkup, Gjykata Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut shtyu sot vendimin lidhur me nismat për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për pëdorimin e gjuhëve, që ka të bëjë me gjuhën shqipe.

Një sërë nismash që kundërshtojnë përdorimin e gjerë të gjuhës shqipe u ngritën menjëherë pas miratimit të ligjit në vitin 2019, por gjykata nuk u mor për më shumë se pesë vjet me to.

Your browser doesn’t support HTML5

Shkup, Gjykata Kushtetuese shtyn seancën për Ligjin e Gjuhëve

Kreu i Gjykatës Kushtetuese tha se deri në pranverën e vitit të ardhshëm gjykata do të marrë një vendim.

Çështja ka nxitur pakënaqësi të madhe tek shqiptarët, por dhe përplasje në mes partive opozitare dhe atyre të pushtetit.

Nismat për Ligjin e Gjuhëve iu dërguan Gjykatës Kushtetuese pas miratimit të ligjit në vitin 2019, ndërsa kërkohej heqja e frazës “gjuha shqipe” që qëndron në kllapa në njërin prej neneve ku thuhet se “gjuha të cilën e flasin mbi 20 përqind e popullatës është gjuhë në përdorim zyrtar, krahas maqedonishtes dhe alfabetit të saj cirilik”.

Në mesin e atyre që ngritën nismat për kundërshtimin e ligjit ishte një zyrtar i VMRO-DPMNE-së, atëherë në opozitë dhe më pas kreu i partisë me qëndrime nacionaliste “E Majta”, profesorë maqedonas të çështjeve ligjore dhe individë të tjerë.

Anëtarët shqiptarë të gjykatës, Osman Kadriu dhe Naser Hajdari refuzuan të marrin pjesë në takimin ku do të diskutoheshin dispozitat ligjore që kanë të bëjnë me përdorimin e gjuhës shqipe.

Edhe anëtari i tretë, Fatmir Skender me përkatësi turke, u largua nga seanca pasi nuk u pranua propozimi i tij për heqjen nga rendi i ditës i nismave për Ligjin e Gjuhëve.

Kur u miratua ligjji në vitin 2019 ai iu dërgua për vlerësim Komisionit të Venecies, i cili dha mendimin se disa nene ishin vështirë të zbatueshme, siç janë procedurat gjyqësore në dy gjuhë.

Ligjin nuk e dekretoi presidenti i atëhershëm Gjorgje Ivanov dhe një pjesë e neneve mbetën të diskutueshme dhe nuk u vunë anjëherë në praktikë, siç janë përdorimi i shqipes nëpër gjykata kur edhe të gjitha palët të ishin shqiptarë, apo emblemat në dy gjuhë në uniformat e policisë e të ushtrisë, apo dhe dygjuhësia në kartmonedha.

Në seancën e sotme të Gjykatës Kushtetuese, pesë nga gjashtë gjykatësit e pranishëm votuan që së pari të mbahet një seancë përgatitore, ku do të ftonin ekspertë të huaj dhe të vendit si dhe të këshillohen me Komisionin e Venecies dhe më pas të marrin vendim. Seanca përgatitore ka të bëjë me çështje kontestuese juridike.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski tha se do të merret një vendim në muajt në vijim. Kostadinovski i hedh poshtë akzuat për votim në baza etnike brenda gjykatës.

Në kohën kur gjykata po fillonte seancën, drejtuesit e koalicionit Fronti Evropian, Ali Ahmeti dhe Ziadin Sela folën para disa qindra protestuesve të mbledhur para Gjykatës Kushtetutuese ku iu bënë thirrje gjykatësve që të mos prekin gjuhën shqipe, të mos nxisin trazira dhe destabilizim në vend.

Seanca e gjykatës ka shtuar përplasjet në mes partive të koalicionit qeveritar "VLEN" dhe të "Frontit Evropian". Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, në rrjetet sociale theksonte se përfaqësuesit e BDI-së e dinin se koalicioni VLEN nuk do të lejonte ndalimin e gjuhës shqipe.

Duket se vendimin e sotëm të Gjykatës e paralajmëroi Kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski, i cil para pak ditësh në një konfefrencë shtypi tha se se “më 11 dhjetor në Gjykatën Kushtetuese nuk do të ndodhte asgjë”.

Sidoqoftë, sot në qendër të Shkupit u vërejt një prani e shtuar policore me përforcime dhe autoblinda pranë institucioneve shtetërore.