DASH nderon Altin Dumanin si kampion kundër korrupsionit

  • VOA

Altin Dumani u nderua të hënën nga Departamenti i Shtetit si kampion i luftës kundër korrupsionit në Shqipëri për rolin e tij në drejtimin “e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) me integritet, profesionalizëm dhe guxim”.

“Kryeprokurori i Posaçëm i Shqipërisë, Altin Dumani, drejton një agjenci të re kombëtare – e ngritur në bazë të reformave kushtetuese të vitit 2016 – që ndjek penalisht zyrtarë të lartë dhe drejtues të krimit të organizuar. Sot është institucioni publik më i besuar në Shqipëri”, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken gjatë ceremonisë që u mbajt në Departamentin e Shtetit në ditën ndërkombëtare të luftës kundër korrupsionit.

Ai ishte mes 10 kampionëve të anti-korrupsionit nga e gjithë bota që u nderua të hënën nga Shtetet e Bashkuara.

“Korrupsioni gërryen qeverisjen demokratike, minon besimin tek qeveria dhe pengon zhvillimin, prandaj Departamenti i Shtetit promovon integritetin, transparencën dhe llogaridhënien si përparësi të politikës së jashtme dhe interesa thelbësore të sigurisë kombëtare”, thuhet në një njoftim të zëdhënësit të Departamentit të Shtetit.

Zoti Dumani u zgjodh në krye të SPAK-ut, Struktura Anti-Korrupsion që u krijua me mbështetjen e Shetetve të Bashkuara, para dy vjetësh në dhjetor të vitit 2022.