Një bandë në Haiti vret më shumë se 180 vetë

Rreth 180 njerëz u vranë gjatë fundjavës në lagjen Cite Soleil pranë kryeqytetit të Haitit, tha të hënën zyra e kryeministrit të vendit, pas sulmeve që sipas një organizate jo qeveritare ishin urdhëruar nga një drejtues bande i cili dyshonte se fëmija i tij ishte sëmurur pasi i kishin bërë magji.

“U kalua vija e kuqe”, tha zyra e kryeministrit përmes një deklarate, ku theksohej “se do të mobilizoheshin të gjitha forcat” për të vënë para drejtësisë të gjithë përgjegjësit, përfshirë kreun e bandës, Monel "Mikano" Felix, i cili akuzohet se planifikoi sulmin.

Sipas deklaratës, pjesa më e madhe e viktimave ishin të moshuar.

Rrjeti Kombëtar i Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut (RNDDH), një organizatë jo qeveritare në Haiti që mbikqyr institucionet shtetërore dhe nxit edukimin për të drejtat e njeriut, tha të dielën se të paktën 110 njerëz, të gjithë të moshës mbi 60 vjeç, ishin vrarë në Cite Soleil gjatë fundjavës.

Sipas kësaj organizate, bilanci mund të jetë më i lartë ndërsa citoi dëshmitarë të ishin shprehur se "trupat e gjymtuar ishin djegur në rrugë, përfshirë disa të rinj që u vranë ndërsa përpiqeshin të shpëtonin banorët".

Rrjeti RNDDH tha se Monel "Mikano" Felix kishte urdhëruar sulmin pasi fëmija i tij u sëmur dhe pasi kërkoi këshilla nga një prift i sektit fetar ‘vodou’ i cili akuzoi të moshuarit në zonë se lëndonin fëmijët përmes magjisë. Sipas organizatës, fëmija i Feliksit kishte vdekur të shtunën pasdite.

Agjencia e lajmeve Reuters nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavaruar të dhënat e raportuara nga Rrjeti Kombëtar i Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut (RNDDH).

Monel "Mikano" Felix nuk komentoi mbi akuzat.

Cite Soleil, një lagje e varfër me popullsi të dendur pranë portit të kryeqytetit Port-au-Prince, është ndër zonat më të varfra dhe më të dhunshme të Haitit.

Kontrolli i rreptë i bandave, duke përfshirë kufizimin e përdorimit të telefonit celular, ka kufizuar aftësinë e banorëve për të shkëmbyer informacione rreth masakrës.

Qeveria, e përfshirë në përplasje të brendshme politike, nuk ia ka dalë të frentojë fuqinë në rritje të bandave brenda dhe përreth kryeqytetit. Grupet e armatosura akuzohen për vrasje pa dallim, përdhunime në grup, rrëmbime dhe nxitje të mungesës së ushqimit.