Zelensky kërkon një fund diplomatik të luftës me Rusinë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mirëpret udhëheqësin opozitar gjerman Friedrich Merz në Kiev, 9 nëntor 2024

Presidenti Volodymyr Zelensky bëri thirrje të hënën për një zgjidhje diplomatike të luftës me Rusinë në Ukrainë. Ai gjithashtu foli për mundësinë që trupat e huaja të dërgohen në vendin e tij derisa Ukraina të mund të anëtarësohet në aleancën ushtarake të NATO-s.

Presidenti Zelensky i bëri këto komente gjatë një konference të përbashkët me udhëheqësin e opozitës gjermane Friedrich Merz. Komentet sinjalizuan gatishmërinë në rritje të Kievit për negociata, ndërsa pritet rikthimi i zotit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar.

Presidenti i zgjedhur amerikan, i cili ka thënë se dëshiron t'i japë fund luftës shpejt, bëri thirrje të dielën për një armëpushim të menjëhershëm dhe negociata për t'i dhënë fund “çmendurisë”, pasi takoi Presidentin Zelensky dhe Presidentin francez Emmanuel Macron për bisedime në Paris.

Lexoni edhe këtë Trump bën thirrje për “armëpushim të menjëhershëm”në Ukrainë, përsërit paralajmërimin për NATO-n


“Ukraina dëshiron që kjo luftë të përfundojë më shumë se kushdo tjetër. Pa dyshim, një zgjidhje diplomatike do të shpëtonte më shumë jetë. Ne e kërkojmë atë”, u tha Presidenti Zelensky gazetarëve në Kiev, të hënën.

Ai tha se diskutoi një “ngrirje” të vijave të tanishme në fushën e betejës gjatë takimit me Presidentin Macron dhe zotin Trump. Rusia kontrollon gati një të pestën e territorit ukrainas. Agresioni rus filloi në shkurt të vitit 2022 duke shkaktuar konfliktin më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Presidenti Zelensky njoftoi se u tha të dy udhëheqësve se nuk besonte se Presidenti rus Putin donte t'i jepte fund luftës dhe se udhëheqësi rus do të duhej të detyrohej për këtë.

“Mund të tregoni fuqi vetëm nëse Ukraina është e fuqishme. Një Ukrainë e fortë përpara çdo përpjekje diplomatike do të thotë një Ukrainë e fortë në fushën e betejës”, tha ai, duke nënkuptuar se Kievi kishte nevojë për ndihmë për t'u bërë më i fortë.

Ai mori mbështetje nga udhëheqësi opozitar gjerman Merz, kandidati që vlerësohet si fitues i mundshëm i garës së ardhshme zgjedhore për postin e kancelarit. Zoti Merz tha se politika aktuale e Berlinit e detyron Ukrainën të luftojë me një dorë të lidhur pas shpine.


TRUPAT E HUAJA


Presidenti Zelensky gjithashtu iu kthye një ideje të ngritur në muajin shkurt nga Presidenti francez Macron, i cili foli për mundësinë që vendet evropiane të dërgojnë trupa në Ukrainë. Megjithatë, për këtë çështje nuk kishte konsensus midis udhëheqësve evropianë.

Lexoni edhe këtë Kievi sheh me keqardhje marrëveshjen e 1994, kur hoqi dorë nga armët bërthamore


“Ne mund të mendojmë dhe të punojmë mbi qëndrimin e Emmanuelit (Presidentit Macron). Ai sugjeroi që një pjesë e trupave të një vendi të jenë të pranishme në territorin e Ukrainës, gjë që do të na garantonte sigurinë, ndërsa Ukraina nuk është ende anëtare e NATO-s”, tha Presidenti Zelensky.

“Por ne duhet ta kemi të qartë kur Ukraina do të anëtarësohet në BE dhe në NATO”, shtoi ai.

Kievi, i cili ka bërë trysni për të marrë ftesë për t'u bashkuar me NATO-n, ka këmbëngulur gjatë gjithë luftës se i duhen garanci sigurie për të parandaluar Rusinë të nisë një agresion tjetër pasi të ndalen luftimet aktuale.

Rusia ka kërkuar që Ukraina të braktisë ambiciet e saj për anëtarësim në NATO dhe e sheh anëtarësimin e Kievit në aleancë si një kërcënim të papranueshëm të sigurisë.

Udhëheqësi ukrainas u tha gazetarëve se shpresonte të telefononte Presidentin në largim të Shteteve të Bashkuara Joe Biden në ditët në vijim për të diskutuar anëtarësimin në NATO.

“Unë synoj të telefonoj Presidentin Biden gjatë ditëve në vijim ... dhe të ngre çështjen e një ftese për t'u bashkuar me NATO-n”, tha ai.

“Ai është president tani dhe shumë gjëra varen nga qëndrimi i tij. Nuk ka kuptim të diskutojë me Presidentin Trump diçka që nuk varet nga ai sot, ndërsa ai nuk është ende në Shtëpinë e Bardhë."