BERLIN – Gjermania dhe disa shtete të tjera evropiane njoftuan të hënën se po pezullojnë vendimet mbi kërkesat për azil të shtetasve sirianë për shkak të situatës së paqartë në vendin e tyre pas rënies së Bashar al-Assadit.
Zyra federale gjermane për Imigracion dhe Refugjatë njoftoi se mbi 47 mijë kërkesa për azil kanë mbetur pezull aktualisht. Zyrtarët thanë se do ta bëjnë një rivlerësim të situatës dhe do të marrin vendime ndërkohë që gjendja në Siri të stabilizohet.
Zëdhënësja e Ministrisë së Brendshme Sonja Kock tha se vendimet për azil marrin parasysh rrethanat specifike të rastit, ndër të tjera edhe vlerësimet për situatën në vendin e azilkërkuesit. Ajo tha se zyra për emigracion ka autoritetin për t’iu dhënë përparësi rasteve nga vendet tjera nëse situata mbetet e paqartë, siç është për momentin situata në Siri.
Zyrtarët gjermanë thanë se është ende herët për të vlerësuar se çfarë do të nënkuptonte rënia e Assadit për shumë sirianë të cilët kërkuan strehim në Gjermani viteve të fundit, sidomos gjatë periudhës 2010-2020.
Ministrja e Brendshme gjermane Nancy Feaser tha se ende nuk mund të parashikohen “mundësitë konkrete të kthimit” dhe se “do të ishte joserioze të spekulohej në një situatë kaq të brishtë”.
Sipas kësaj ministrie, deri më datën 31 tetor, në Gjermani ishin të regjistruar 974,136 shtetas sirianë, shumica e të cilëve kanë një lloj statusi refugjati, apo ndonjë status tjetër mbrojtjeje.
Në Austri, Kancelari Karl Nehammer gjithashtu e urdhëroi ministrin e tij të brendshëm që të pezullojë vendimet për kërkesat aktuale për azil të sirianëve, sipas agjencisë austriake të lajmeve.
“Është e rëndësishme të shqyrtojmë faktet dhe ndërkohë të pezullojmë procedurat e azilit dhe bashkimit familjar”, deklaroi Ministri i Jashtëm austriak, Alexander Schallenberg. “Duhet të presim derisa të qartësohet situata, të shohim se çfarë po ndodh dhe cilët janë hapat e ardhshëm”.
Agjencia suedeze e Emigracionit gjithashtu njoftoi se do të pezullojë vendimet mbi kërkesat për azil të sirianëve, duke thënë se e ka të pamundur që aktualisht të vlerësojë arsyet e azilkërkuesve që kërkojnë mbrojtje. Kjo agjenci nuk njoftoi se sa do të zgjasë kjo pauzë, por tha se një vendim i ngjashëm u mor edhe me rastin e kthimit të grupit Taliban në pushtet në Afganistan në vitin 2021.
Në Finlandë, drejtori i Departamentit për Mbrojtjen Ndërkombëtare dhe Shërbimet e Emigracionit, Antti Lehtinen i tha televizionit publik YLE se vendimet për kërkesat për azil janë pezulluar edhe në këtë shtet dhe se ai nuk e di se kur do të rifillojë shqyrtimi i tyre.
Në Norvegji, Drejtoria e Emigracionit po ashtu njoftoi për një vendim të ngjashëm, duke thënë se nuk do të shqyrtojë kërkesat për azil nga Siria deri në një njoftim të ardhshëm.
Franca njoftoi se po konsideron të ndjekë shembullin e Gjermanisë.
“Po punojmë në drejtim të pezullimit të rasteve të azilit nga Siria”, deklaroi Ministria e Brendshme e Francës. “Do të marrim një vendim brenda disa orëve”.
Ministria tha se në Franca janë aktualisht 450 kërkesa për azil të shtetasve sirianë.