Sirianët festuan të hënën rrugëve të Damaskut, një ditë pasi rebelët morën kontrollin e kryeqytetit të vendit, ndërsa Presidenti Bashar al-Aassad u largua drejt Rusisë, pas 13 vitesh luftë civile dhe mbi 50 vite të regjimit të familjes së tij.
Your browser doesn’t support HTML5
Megjithë pasiguritë, sirianët u zgjuan të hënën duke besuar në një të ardhme shpresëdhënëse.
Pushtimi i kryeqytetit të vendit nga rebelët dhe arratisja e Presidentit Bashar al-Assad drejt Rusisë i dha fund një lufte që vrau qindra mijëra njerëz, shkaktoi një nga krizat më të rënda të refugjatëve në kohët moderne dhe la qytete të tëra të shkatërruara, zona të shpoplluara dhe thelloi krizën ekonomike të vendit për shkak të sanksioneve globale.
Miliona refugjatë, më në fund mund të kthehen në shtëpi nga kampet e refugjatëve në Turqi, Liban dhe Jordani.
“E kemi pritur këtë ditë për 50 vjet. Ne jetonim në një burg të madh, që ishte Siria. Në këto 50 vite ne nuk mund të flisnim apo të shprehnim shqetësimet tona”, tha Mahmuot Hayjar, banor i Damaskut.
Një tjetër banor, Khaldoun Dayan thotë se shpreson për ditë më të mira në këtë “epokë të re”.
"Shpresojmë që fraksionet brenda Damaskut ta kontrollojnë situatën më mirë se më parë, që gjithçka të funksionojë normalisht dhe të kthehemi siç ishim apo edhe më mirë. Kjo është ajo që shpresojmë”, thotë zoti Dayan.
Njerëzit u panë duke qëndruar sipër tankeve të braktisura të ushtrisë, duke fotografuar atë që disa e përshkruan si “një ëndërr”.
“Është një ndjenjë që nuk mund ta përshkruaj. Duket si një ëndërr nga e cila nuk jemi zgjuar ende”, thotë banori i Damaskut Nadir Shalan.
“Jemi shumë të lehtësuar dhe ndihemi të qetë. Ishim të frikësuar, të tmerruar duke jetuar në një makth”, thotë Mohammed Zaher, një sirian nga Idlibi që erdhi në Damask për të festuar.
Ofensiva e rebelëve nisi pikërisht nga provinca veriperëndimore e Idlibit, vetëm 12 ditë më parë.
Përparimi i shpejtë i një aleance të milicive, e kryesuar nga grupi Hayat al-Tahrir al-Sham, një ish-degë e al-Kaedës, por e distancuar prej saj më vonë, shënon një nga kthesat më të mëdha në Lindjen e Mesme në breza.
Rënia e Asadit i dha fund një bastioni nga i cili Irani dhe Rusia ushtronin ndikim në të gjithë botën arabe.
Qeveritë ndërkombëtare e përshëndetën fundin e qeverisë autokratike të familjes Assad, ndërsa analizojnë me kujdes pamjen e re të Lindjes së Mesme.
Turqia, e lidhur prej kohësh me kundërshtarët e Asadit, tha se del nga kjo situatë e forcuar, ndërsa Izraeli përshëndeti zhvillimet e reja dhe tha se ato janë rezultat i goditjeve të tij ndaj aleatëve të Asadit të mbështetur nga Irani.
Tani bota arabe përballet me sfidën e riintegrimit të një prej shteteve qendrore të Lindjes së Mesme, ndërsa frenon islamin militant suni, që nga njëra anë ka mbështetur revoltën kundër Asadit, por nga ana tjetër ka prodhuar dhe përhapur dhunë të tmerrshme sektare të Shtetit Islamik.
Grupi Hayat al-Tahrir al-Sham, i njohur me shkurtesën HTS, ende cilësohet si grup terrorist nga Shtetet e Bahskuara, OKB-ja dhe shumica e vendeve. Por, viteve të fundit ku grup është përpiqur të zbusë imazhin e tij dhe të distancohet nga lidhjet e tij me al-Kaedën, në një përpjekje për t’u ofruar siguri vendeve të huaja dhe grupeve të pakicave brenda Sirisë.