Presidentit të Koresë së Jugut i ndalohet udhëtimi jashtë vendit

Presidenti i Koresë së Jugut Yoon Suk Yeol

Ministria e Drejtësisë e Koresë së Jugut vendosi të ndalojë Presidentin Yoon Suk Yeol të udhëtojë jashtë shtetit ndërsa autoritetet vazhdojnë hetimet nën akuzat për rebelim dhe shkelje të tjera në lidhje me përpjekjen e tij jetëshkurtër për të vendosur ligjin për gjendjen e jashtëzakonshme javën e kaluar. Dekreti i Presidentit çoi në mobilizimin e ushtrisë dhe shkaktoi trazira politike në Korenë e Jugut. Presidenti Yoon i mbijetoi një mocioni për shkarkim të premten, pasi shumica e ligjvënësve të partisë në pushtet bojktotoi votimin në parlament.

Opozita është zotuar të depozitojë një tjetër mocion pr shkarkimin e tij gjatë kësa jave.

Një zyrtar i Ministrisës së Drejtësisë tha të hënën se ky institucion i ka ndaluar Presidentit Yoon të drejtën për të udhëtuar jashtë vendit, pas kërkesave nga policia, prokuroria dhe agjencia kundër korrupsionit.

Siç njofton agjencia e lajmeve Associated Press, të hënën, një zyrtar i lartë i Agjencisë Kombëtare të Policisë u tha gazetarëve se policia mund ta arrestojë Presidentin, nëse përmbushen të gjitha kushtet.

Ndonëse Presidenti në Korenë e Jugut ka imunitet nga ndjekja penale gjatë ushtrimit të mandatit, kjo dispozitë nuk vlen në rastet e dyshimeve për rebelim apo tradhti.

Kjo nënkupton se Presidenti Yoon mund të merret në pyetje dhe të ndalohet nga policia lidhur me dekretin e tij për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, megjithatë shumë vëzhgues dyshojnë që policia do ta ndalojë atë me forcë, për shkak të rrezikut për përleshje me forcat e sigurisë së Presidentit.

Të shtunën, autoritetet arrestuan ish-ministrin e Mbrojtjes Kim Yong Hyun i cili dyshohet se i sugjeroi Presidentit të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme. Ai është zyrtari i parë i arrestuar lidhur me këtë çështje.