Greqia godet 4 organizata shqiptare të trafikut të drogës

  • Raimond Kola

Arkiv

Policia greke tha se goditi pesë organizata të dyshuara ne trafikun e drogës mes të cilave katër të përbëra nga shtetas shqiptarë dhe një nga shtetas grekë. Sipas policisë greke mbi 20 persona janë arrestuar, mes të cilëve 15 nga Shqipëria.

Sipas policisë greke personat akuzohen se si pjesë e organizatave, që kanë pasur edhe bashkëpunim me njëra tjetrën, kanë importuar drogë në Greqi, kryesisht marijuanë në rreth 1 tonë e 780 kilogramë.

Po kështu të arrestuarit dyshohen, sipas policisë greke, se kanë trafikuar kokainë, nga Spanja në Shqipëri dhe Greqi, të fshehur në kamionë me produkte të ligjshme.

Sasia e drogës së qarkulluar nga këto rrjete të drogës, sipas policisë greke, shkon në mbi 8 milionë dollarë.

Sipas policisë greke bazuar në të dhënat e komunikimeve përmes aplikacioneve të koduara “Sky ECC” dhe “EncroChat “ të cilat tani janë në duart e policisë greke është hedhur dritë për 70 raste të trafikut të drogës që përfshinin periudhën nga marsi 2020 deri në mars 2021.

Sipas policsë greke, një nga personat e dyshuar në një nga rrjete e trafikut të drogës është Aleksandër Sadikaj, i cili u vra në Shqipëri në një atentat nga shpërthimi i një bombe në makinën e tij në qershor të vitit 2022.

Policia greke tha se një rol te rëndësishëm në një nga organizatat kishte edhe një 36-vjeçare greke, e akuzuara kryesore në rastin e trafikimit të 1.5 ton kokainë në Mimizan, në jug të Francës, në korrik të vitit 2017.

Polica greke ka hedhur dritë edhe se si anëtarët e rrjetit përdornin aplikacionet e koduara.

“Nëpërmjet aplikacioneve specifike, përdoruesit mund të shkëmbenin mesazhe të koduara që vetëshkatërroheshin pasi dërgoheshin, ndërsa kodet speciale të sigurisë , PIN, ishin vënë për të përdorur pajisjet celulare të modifikuara posaçërisht” , thotë policia greke.

Sipas hetimeve policore greke çdo përdorues paguante 1500 euro në muaj për të përdorur aplikacionet.

Në periudhën 2020-2021, agjencia europiane policore “ Europol” së bashku me autoritetet kombëtare policore të Francës, Belgjikës dhe Holandës arritën të godasin aplikimet e koduara “Sky ECC” dhe “EncroChat “ dhe t'ua shpërndanin më pas komunikimet e organizatave kriminale homologëve të tyre në shumë vende, përfshi edhe Greqinë dhe Shqipërinë.